Kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, ka pritur në një takim Ministren e Integrimeve Evropiane të Republikës së Kosovës Vlora Çitakun. Në këtë takim temë bosht ishte procesi i riintegrimit dhe riatdhesimit të personave. Me këtë rast numri një i qytetit të Ferizajt, Bajrush Xhemaili, ka theksuar faktin se kjo komunë ka bërë mjaft shumë sa i përket këtij procesi shumë të rëndësishëm për gjithë Kosovën.
“Në këtë aspekt sa i përket riatdhesimit kemi bërë krejt atë se çka ka qenë në dorën tonë, kemi bërë komitetitin, për më tepër ne kemi krijuar edhe një komision mobil ku ka vizituar të gjithë të kthyerit dhe kemi bisedu gjatë me ta, për hallet dhe brengat e tyre, por kemi mbajt edhe debat publik për personat e riatdhesuar, për senisbilizmin e kësaj çështje dhe jemi mundu që t’i dalim në ndihmë me gjithë ato që janë kërkuar”, ka thënë Xhemaili.
Ai ka bërë të ditur se si komunë do të bëjenë edhe shumë më shumë për këtë proces sa i përket edhe strehimit, ku tashmë është duke u bërë edhe një projekt për një ndërtesë për personat e riatdhesuar.
Nga ana tjetër Ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku, është shprehur se këto vizita po i bën në kuadër të vizitave të rregullta që po bënë në gjithë Kosovën. Ajo më këtë rast është ndarë e kënaqur me punën që ka bërë Komuna e Ferizajt në procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar.”Standardet nuk është e rëndësishme që vetëm të arrihen, por standardet duhet të mirëmbahen. Sistemin e shkëlqyeshëm që kanë ndërtu kryetari i komunës së Ferizaj, për të adresuar sfidat e procesit të riintegrimit të personave të riatdhesuar duhet të mirëmbahen”, ka thënë Çitaku, duke shtuar se rekomandimet që ka dhënë Komisioni Evropian për fillimin e dialogut të liberalizimit të vizave si dhe vlerësimin pozitiv për të arriturat në nivel komunal për përmbushjen e kritereve që ndërlidhën me liberalizim të vizave nuk do të thotë se tashmë Kosova duhet të ndjehet komod në këtë aspekt. “Përkundrazi ne duhet të punojmë me një dinamizëm të shtuar për të adresuar sfidat që mbesin në mënyrë që qytetarët tanë të lëvizin pa viza nëpër botë dhe në anën tjetër ne nuk bën që idenë e integrimit evropian ta reduktojmë në atë të liberalizmit të vizave, ideja e integrimit evropian më shumë se gjithçka tjetër do të thotë pako reformash dhe transformim i shoqërisë dhe institucioneve tona”, ka përfunduar Çitaku.
Në Komunën e Ferizaj nga dhjetori i vitit 2010 deri me 15 nëntor të këtij viti, janë riatdhesuar 70 familje me 169 anëtar, prej tyre 67 janë femra dhe 102 meshkuj, 59 janë fëmijë. Prej tyre 102 janë shqiptarë, 44 ashkali, 20 romë dhe 3 serb.
Ministrja e Ministrisë për Integrime Evropiane e Republikës së Kosovës Vlora Çitaku, ka vizituar qytetin e Ferizajt.