Vizita u bë për të parë nga afër gjendjen projekteve që po zbaton BE-ja në Komunën e Ferizajt dhe për të parë mundësinë e intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit.
Pas takimit me drejtorët e ekzekutivit të Ferizajt, Shtok dhe Svarqa theksuan se janë dakorduar për t’i shtuar kontaktet, në të mirë të një pune të përbashkët për interesa të qytetarëve të Ferizajt dhe të komunave përreth.
“Biseduam për projektet me të cilat kemi aplikuar në BE, me përparësi projektin për rregullimin e shtratit të lumit Nerodimja, për dy projekte në Dubravë dhe për rrethojën e shkollës së gjimnazit “Shaban Hashani”. Kemi aplikuar me projekte të përbashkëta me komunën e Vitisë dhe me projekte ndërkufitare me Kumanovën. Në kuadër të kontinuitetit të bashkëpunimit, do të vizitojmë punët për ndërtimin e një fushe futbolli, por do të flasim edhe për investimet për një çerdhe të fëmijëve. Një projekt tjetër i rëndësishëm për ne është edhe ai për transparencën që do të ndërtohet në qendër të qytetit, për të cilin u dakorduam që të realizohet vitin e ardhshëm, si dhe me projekte që kanë të bëjnë me ndryshimin e mendësisë dhe qasjes ndaj punës në përgjithësi dhe ndaj qeverisjes në veçanti", tha ndër të tjera z. Svarqa, në konferencën me gazetarë.
Drejtori i zyrës së BE-së në Prishtinë, Kristof Shtok u shpreh se theks të veçantë gjatë takimeve me zyrtarë të Ferizajt i është dhënë projekteve të përbashkëta në kuadër të programit “Kosova e bukur” dhe në kuadër të programeve të mbështetjes së BE-së për zhvillimin ekonomik të Komunës.
“Po ashtu kemi biseduar edhe për skemën rurale të granteve, fushën e sportit etj”, u shpreh zyrtari i BE-së.
I pyetur nga gazetarët se përse BE-ja po zbaton projekte të vogla në Ferizaj dhe nuk po mbikëqyr mirë zbatimin e tyre deri në fund, z. Shtok u përgjigj se është çështje e Komunës se me çfarë projektesh konkurron në programet mbështetëse të Bashkimit Evropian, po aq sa edhe çështje e fondeve në dispozicion, për të përballuar kërkesat që paraqiten.
Të dy bashkëbiseduesit u shprehën se kanë rënë dakord që në të ardhmen të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë e të frytshëm. Ata së bashku vizituan edhe gjendjen e projekteve të realizuara ose në realizim e sipër në Ferizaj, të financuara nga BE-ja.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, priti sot në një takim pune drejtorin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Kristof Shtok.