Kryetari Svarqa u tha artistëve se ndihet keq që statusi i teatrit të Ferizajt, por edhe i aktorëve, regjisorëve, dramaturgëve dhe artistëve tjerë që lidhen me teatrin, ka mbetur ende në një pozitë të palakmueshme. Aktualisht ky teatër ka vetëm një drejtor të punësuar, por pa një trupë rezidente artistike.
Megjithatë, kryetari Svarqa ftoi artistët që të japin idetë e tyre dhe në bashkëveprim me Komunën dhe me MKRS-në, të gjendet zgjidhja më e pranueshme. Ai ofroi disa variante të zgjidhjes financiare për punësimin e një stafi të përhershëm teatror. Njëri prej tyre, lidhet me mundësinë e bashkëfinancimit me Ministrinë e Kulturës, kurse tjetri – që Kuvendi i Komunës të marrë vendim për destinimin e një shume financiare për këtë qëllim, derisa financimi i teatrit dhe trupës së tij, të rregullohet me kod të përhershëm buxhetor.
Artistët, nga ana e tyre, u shprehën të zhgënjyer me gjendjen e sotme të teatrit të Ferizajt dhe me statusin e tyre financiar të pazgjidhur. Kushtrim Asllani, Fatmir Hyseni, Dardana Mehmeti, Besim Ukzmajli, Nexhat Xhokli, Arben Marevci e pjesëmarrës të tjerë në takim, kërkuan që Komuna të bëjë maksimumin e mundshëm për ta zgjidhur këtë çështje; të formohet një komision së bashku me Drejtorinë e Kulturës që do ta përcjellë gjendjen; të shikohen dhe analizohen alternativat që kanë përdorur disa teatro të tjera të Kosovës; të bëhet kujdes në përzgjedhjen e shfaqjeve dhe regjisorëve e aktorëve që angazhohen nga komunat tjera në Ferizaj etj. Të gjithë artistët e vlerësuan takimin si të mirëseardhur dhe komunikimin e ndërsjellë si një mundësi të mirë për zgjidhjen e problemeve.
Krytari Svarqa u premtoi artistëve të teatrit përpjekje maksimale që zgjidhja e statusit të tyre dhe e statusit të teatrit të Ferizajt, të bëhet sa më mirë dhe sa më shpejt.
Komuniteti ferizajas i artistëve të teatrit, i cili ka qenë i zëshëm kohët e fundit në kërkim të zgjidhjes së statusit të teatrit dhe të statusit të tyre, u prit sot nga kryetari i Feriazjt Muharrem Svarqa dhe nga drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, Naim Ferati, në kërkim të një zgjidhjeje të përkohshme.