Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyqi, gjatë ditës së sotme ka ftuar mbledhjen e tretë të jashtëzakonshme të Komitetit për Politikë dhe Financa, për të diskutuar propozim-vendimin për rishikimi të buxhetit për vitin 2020, propozim ky i Kryetarit të Komunës së Ferizajt Agim Aliu.
Propozimin e kësaj pike e bëri drejtorja e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, e cila ka thënë se rishikimi i buxhetit ofron mundësi për transfere ndërmjet nën-programeve dhe programeve buxhetore.
“Me instruksione për rishikim të buxhetit të vitit 2020, organizatave buxhetore do t’ju lejohet të bëjnë rregullimet e brendshme që janë të arsyeshme për të bërë ekzekutimin efikas të buxhetit për periudhën e mbetur të vitit buxhetor”, ka thënë drejtorja e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku.
Drejtorja e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, ka thënë se u lejohet që bëjnë rregullime e brendshme të të gjitha kategorive përjashtuar kategoritë e pagave.
“Në nënkategori duke e ruajtur kufirin e aprovuar të kategorisë ekonomike dhe duke u bazuar në nevojat e mbulimit të shpenzimeve të kategorisë jemi të obliguar që nga kategoria e investimeve kapitale të bëjmë transfere të mjeteve nënkategoritë e po të njëjtës kategori pra të investimeve kapitale, duke transferuar kështu projektet të cilat për shkak të situatës së krijuar të COVID -19 nuk do të mund të realizohen në periudhën e mbetur të këtij viti në projektet e filluara më parë. Këto transfere do të bëhen nga fondi burimor i grantit qeveritar dhe i të hyrave vetanake, shpenzimet kapitale-procesi i rishikimit të buxhetit në gjashtëmujor ofron mundësinë që të shikohet gjendja reale e projekteve kapitale dhe të përgatitë plani për periudhën e mbetur të vitit”, ka thënë Ajeti-Sadiku.
Mbledhja e Kuvendit të Komunës do të mbahet nesër në orën 10 në teatrin e qytetit “Adriana” në Ferizaj.