Këshilli për mbrojtjen e të drejtave e të lirive të njeriut (KMDLNJ), ka fituar një projekt nga disa organizata të huaja për ta ngritur tolerancën dhe vetëdijen ndaj komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Të enjten ky këshill debatoi për gjendjen e komuniteteve në Komunën e Ferizajt. Por në këtë takim vërehej një pjesëmarrje shumë e ulët e vet komuniteteve, ku komuniteti serb përfaqësohej vetëm nga dy persona. Behxhet Shala nga KMDLNJ, ka thënë se komunat duhet të përkujdesen për komunitetet të cilët janë kthyer në kuadër të mundësive që ka komuna. Sipas Shalës, deri më tani janë ndarë qindra e miliona euro për personat e kthyer dhe ata të cilët duhet të kthehen. “Më se paku ata kanë përfituar. Askush nuk di se ku kanë shkuar parat për personat e zhvendosur”, ka thënë Shala. Por Shala ka thënë se nëse nuk ka gatishmëri edhe nga pala tjetër për bashkëpunim atëherë do të jetë e kotë të bëjnë përpjekje. Sepse sado që të ndahen mjetet nga buxhetet për personat e zhvendosur që të kthehen, ata ose nuk kthehen fare ose nëse kthehen qëndrojnë një javë ose dy dhe kthehen prapë në Serbi ose pas një kohe edhe i shesin shtëpitë e tyre.
Jajush Avdiu, nga zyra lokale për komunitete, ka thënë se, në krahasim me vitet e kaluara të drejtat për komunitete janë shumë më të avancuara. Përveç papunësisë dhe arsimimit, komuniteti RAE, sipas Avdiut nuk ndihet i diskriminuar.
Ndryshe nga komunat tjera, Komuna e Ferizajt u cilësua nga të pranishmit si një komunë e cila ka bërë përpjekje të shumta dhe ka kontribuar për përmirësimin e gjendjes së komuniteteve.
Këshilli për mbrojtjen e të drejtave e të lirive të njeriut (KMDLNJ), debatoi për gjendjen e komuniteteve në Komunën e Ferizajt