
"Ne sikur edhe në të kaluarën ashtu siç e kemi mbështetur këtë klub, do ta mbështesim edhe në të ardhmen. Prioritet imi do të jetë sporti, në këtë rast edhe hendbolli, pasi ne jemi qendër e rëndësishme e hendbollit në nivel të Republikës së Kosovës" ka thënë kryetari Aliu, duke uruar udhëheqjen e re për për arritje të sukseseve sa më të larta, pa harruar të falënderoj edhe udhëheqjen e kaluar të klubit, sportdashësit dhe fansat "Ujqit" për punën dhe mbështetjen që i kanë dhënë klubit.
I pyetur nga gazeta se në çfarë gjendje po e marrin drejtimin e klubit, pasi ka lëvizje të hendbollistëve, kryetari i klubit Fikret Ibrahimi ka thënë se lojtarët që deri dje kanë mbrojtur ngjyrat e klubit dhe nuk kanë qenë nga Ferizaj, më nuk janë pjesë e klubit, por gjithçka do të shihet se në grumbullimin e lojtarëve që do të bëhet këtyre ditëve dhe do të kuptohet se cili është fondi i lojtarëve.
"Fokusi ynë kryesor do të jetë puna e lojtarë të rinj, me gjeneratën e re dhe do të mundohemi që hendbollin ferizajas ta masivizojmë, sepse ka shumë të rinj që presin t’u jepet rasti. Përforcimet nuk janë të nevojshme, do të mund të vie në shprehje aspekti kohor, por ne do të përqendrohemi në lojtarët e qetit tonë" ka thënë Ibrahimi.
Kryetrajneri Verim Zherka ka thënë se nga e hëna do të startohet me stërvitje dhe deri më 15 shtator do të bëhet një punë intensive. Zherka ka nënvizuar se shumë prej hendbollistëve që llogarit t’i ketë në përbërje i njeh dhe me ta ka punuar nëpër faza të ngritjes së tyre.
"Sipas analizave që kam bërë, fondin e lojtarëve e përbëjnë 15-16 lojtarë, me një mesatare të moshës 20-21 vjeç. Është një kombinim juniorë-seniorë dhe qëllimi është të ripërtërijmë ekipin, në mënyrë që për një periudhë afatgjate ta ketë një klub stabil, të krijohet një bazë" ka thënë Zherka.
Ndërsa drejtori sportiv, Fatmir Syla i pyetur se cili do të jetë transferi i parë që do të bëjë Kastrioti, ka thënë shkurt: "Do të jetë Vlerson Zherka, do të rikthehet nga Prishtina dhe për momentin transfere tjera nuk do të ketë"
Klubi i Hendbollit "Kastrioti" nga Ferizaj ka tejkaluar problemet që ka pasur së fundi me stafin udhëheqës dhe shef të shtabit teknik.