Në këtë mbledhje Drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë, Financave dhe Buxhetit në Ferizajt, Mustafë Grainca, ka thënë se mbledhja e ditës së sotme është thirrur pas një shkrese zyrtare të lëshuar nga Ministria e Financave me teme “Instruksionet për Rishikimin e buxhetit për vitin 2013”, gjithashtu bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale si dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë nr 03/L-221.
“Kryetari I komunës propozon Rishikimin apo plotësimin-ndryshimin e buxhetit për vitin fiskal 2013, duke i’u përmbajtur në plotësimin e instruksioneve të Ministrisë së Financave, të cilat kanë të bëjnë me ruajtjen e strategjisë fiskale agregate të përcaktuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, kur kemi të bëjmë me grandin qeveritar si dhe respektimin e parimit të fleksibilitetit për burimin e dytë të financimit, te të hyrat vetanake”, ka thënë Grainca.
Ai ka thënë se instruksioni i marrur nga Ministria e Financave përpos shumë të dhënave tjera të nevojshme për këtë proces, përfshinë edhe kalendarin buxhetor apo aftin e dorëzimit të buxhetit të rishikuar.
“Pra Komunat duhet që me datën 12 qershor të dorëzojnë në Departamentin e Buxhetit të Komunave, buxhetin e rishikuar të aprovuar nga ana e Kuvendit të Komunës. Edhe pse kemi një afat të shkurtër kohor për këtë proces, ekzekutivi ka arritur të analizojë buxhetin e komunës në të gjitha programet e tija dhe të vi në përfundim që t’i dorëzojë Kuvendit të Komunës, plotësim-ndryshimet e buxhetit për vitin 2012, të cilat kanë të bëjnë në masën më të madhe me kategorinë e Investimeve kapitale, pastaj ndryshimet në kategorinë mallra dhe shërbime dhe subvencione”, tha ai para anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa.
Drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë, Financave dhe Buxhetit, në këtë mbledhje ka thënë në plotësim-ndryshimin i buxhetit për vitin 2013 është propozuar për rritjen e buxhetit të Komunës për 1.45 për qind duke ndryshuar , rritur planifikimin e të hyrave vetanake për vlerën 300.000 euro.
“Kjo rritje e propozuar rezulton nga fakti se për vitin fiskal 2013 nuk planifikuam inkasimin e të hyrave nga taksat e bizneseve pasi që ne respektuam limitin e planifikimit të të hyrave të përcaktuara me qarkoren buxhetore 2013/02, si dhe vendimin për heqjen e taksës së biznesit, mirëpo ne tani çdo muaj po inkasojmë të hyrat nga taksat e bizneseve, pra po inkasojmë kërkesat e viteve të kaluara dhe sipas parashikimeve tona, deri në fund të këtij viti do të inkasojmë edhe më shumë sesa rritja e propozuar dhe këtë e mbështesim në planet dhe politikave tona inkasuese të cilat do të jemi duke implementuar. Gjithashtu një fakt tjetër që na mundëson një propozim të tillë janë edhe vendimet e AKP-së për shlyerjen e obligimeve që ka ndaj komunës sonë në emër të ndërmarrjeve shoqërore(obligime para procesit të privatizimit të tyre). Vendimet të cilat tashmë i janë dorëzuar Drejtorisë së Financave nga ana e AKP kanë vlerën mbi 272 mijë euro, si obligime të cilat priten të derdhen në llogarinë e komunë sonë jo më larg se në muajin nëntor të këtij viti”, ka sqaruar drejtori Grainca.
Më pas në mënyrë të detajuar në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, janë diskutuar plotësimet-ndryshimet e buxhetit për vitin 2013 në kategori e programe buxhetore.
Në këtë mbledhje u morë vendim që mbledhja e jashtëzakonshme për rishikimin e buxhetit për vitin 2013 e Kuvendit të Komunës të mbahet me 11 qershor duke filluar nga ora 10:00.
Në këtë mbledhje është diskutuar lidhur me rishikimin e buxhetit për vitin 2013, pas një shkresë e zyrtare e cila ka arritur nga Ministria e Financave.