Gjatë këtij takimi të mbajtur sot nga Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi janë diskutuar çështje të ndryshme , ku në këtë kuadër është diskutuar edhe për vjedhjen e tetë shtëpive të serbëve të fshatit Bablak. Kryetari Xhemaili të pranishmit i ka njoftuar se sot ka vizituar banorët e këtij fshati ku ishte takur vetëm me një banor, ndërkaq të tjerët nuk kanë qenë në atë fshat.
Edhe komandanti i Stacionit të Policisë në Ferizaj, Qazim Reka , ka vlerësuar se gjendja në përgjithësi e sigurisë është e qetë , pavarësisht vjedhjes së tetë shtëpive të këtyre serbëve.”Gjendja mund të thuhet se është e qetë edhe pse janë vjedhur ato shtëpi. Hajnat gjithmonë kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë për shkak se ata janë hajna. Ne u kemi thënë pronarëve se ato gjëra të cilat janë vjedhur do të kthehen , vetëm se ata duhet të lajmërojnë në polici se çka kanë pasur në shtëpitë e tyre”, ka thënë Reka, duke shtuar se policia gjithmonë do të jetë e gatshme që të jetë në fshatin Babush, por edhe Bablak, mirëpo nuk mund të ketë secila shtëpi e sërbëve nga një polic tek dera.
Gjatë këtij takimi drejtues të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi kanë diskutuar edhe për prerjen ilegale të pyjeve, ku drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Safit Halili ka dhënë një raport të detajuar për gjendjen e cila është tash për tash në pyjet e rajonit të Ferizajt.”Dëmtimet më të mëdha të pyjeve janë në rajonin e Jezercit dhe Dremjak .Pyje në komunën tonë janë rreth 11 mijë hektarë me pyje publike , ndërsa rreth 3400 pyje private”, ka thënë Halili. Ai me këtë rast ka falënderuar policinë e Kosovës e cila ka qenë mjaft azhure për të ndihmuar , sa i përket prerjes ilegale të pyjeve, por edhe në konfiskimin e druve.
Ndërkaq drejtori i Arsimit, Agim Berisha ka prezantuar një informatë rreth fillimit të vitit të ri shkollor, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek rekomandimet të cilat u janë dhënë drejtorëve të shkollave dhe mësimdhënësve.
Këshilli komunal për siguri në bashkësi ka diskutuar edhe çështje të tjera të rëndësishme për qytetin e Ferizajt.
Situata e sigurisë në komunën e Ferizajt, vlerësohet e qetë nga Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i kryesuar nga kreu i komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, njehrësh edhe kryesues i këtij këshilli.