Shoqëria civile konsideron se deri më tani në masë të madhe nuk janë marrë parasysh këto nevoja prandaj ka pas shpesh edhe dështime te dëgjimeve publike prandaj e shohin të nevojshëm që pushtetarët te zgjedhin forma tjera në mënyrë që të jenë sa më pranë qytetarëve.
Në këtë takim kreu i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa vlerësoi se janë të drejta reagimet e shoqërisë civile për gjendjen në të cilën ndodhen komunat sa i përket telasheve, por sipas tij kjo po ndodh për shkak të borxheve të mëdha të cilat i kanë trashëguar. Sipas kryetari Svarqa planifikimi dhe hartimi i buxhetit, si dokumenti kryesor i qeverisë lokale të Ferizajt, në vetvete është sfidues, duke përfshirë edhe dhjetëra vështirësi të tjera brenda tij.
“Jo sepse mungon përvoja, meqë tashmë është bërë mbi një dekadë që autoritetet komunale planifikojnë, hartojnë, rishikojnë dhe e shpenzojnë buxhetin e Komunës. Por, sfidues gjithnjë paraqitet fakti nëse pushteti lokal po harton një dokument, i cili plotëson sa më mirë nevojat e qytetarëve. Jo vetëm me shumat e parave që përmban, sa me shpërndarjen e drejtë të tyre. Kjo, për mendimin tim, është sfida e parë. Sa janë të përfshirë qytetarët në hartimin, në përmbajtjen dhe në vendimmarrje për shpenzimin e buxhetit? Me sa jam në dijeni, të gjitha garniturat pushtetore të deritashme, kanë organizuar tubime publike në prag të hartimit ose të miratimit të buxhetit, në përputhje me obligimet ligjore. Por, në të vërtetë, shumica e tubimeve të tilla, kanë dështuar, për shkak të mospjesëmarrjes, ose pjesëmarrjes fare simbolike të qytetarëve në to. Dështimet e tilla janë shpjeguar me dy arsyetime: informimi i pamjaftueshëm dhe shpërfillja që pushteti u ka bërë kërkesave të shtruara nga banorët. Së këndejmi, përgjatë gjithë viteve të pasluftës, ka pasur ankesa të vazhdueshme të komuniteteve nëpër fshatra e qytet, për shpërndarje të padrejtë të buxhetit, duke anashkaluar vendbanime të tëra, për shkaqe, rëndom politike, nga mungesa e përfaqësimit adekuat në pushtet, njëanshmëria e faktorëve vendimmarrës etj”, ka thënë Svarqa, duke theksuar se sfidues paraqitet sensibilizimi i banorëve të Komunës së Ferizajt për të qenë më aktivë, për të marrë pjesë në të gjitha fazat e përgatitjes, hartimit dhe zbatimit të buxhetit komunal. Komuna e Ferizajt e ka ndërmend që të vendos kontakte sa më të shpejta, më të dendura e të afërta me banorët e lokaliteteve, vendbanimeve e lagjeve, për të nisur një bashkëpunim sa më të ngushtë që të jetë e mundur, në mënyrë që pushteti lokal të kuptojë qartë e drejt gjendjen e komuniteteve, nevojat, kërkesat, vështirësitë dhe synimet e banorëve.
“Duke qenë sa më afër tyre, pushteti lokal do të krijojë mundësi për të pasur një pasqyrë sa më të qartë të zhvillimeve politike, ekonomike, arsimore, shëndetësore, kulturore e shoqërore në të gjitha mjediset e Komunës dhe do të mundet më me lehtësi të bëjë përzgjedhjen e nevojave më me përparësi, të cilat duhet të gjejnë vend në buxhetin komunal. Sfida e dytë është shuma e borxheve të bartura nga qeverisja e mëparshme. Sipas kategorive ekonomike, këto borxhe janë si vijon: Mallra, shërbime, komunali dhe subvencione: 1 milion e 175 mijë e 494 euro,Investime kapitale: 1 milion e 609 mijë e 039 euro, Detyrime kontigjente: 1 milion e 166 mijë e 540 euro, gjithsej janë 3 milionë e 951 mijë e 074 euro borxhe të trashëguara”, ka thënë kryetari Svarqa.
Sipas të parit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqës, sfidë e tretë është paraqitur edhe shkurtimi buxhetor, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës për 15 për qind në kategoritë ekonomike, mallra e shërbime dhe komunali. Shkurtimi buxhetor është bërë për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e shërbyesve. Ne kemi bërë shkurtime vetëm në kategorinë mallra dhe shërbime, në vlerë 249 mijë e 946 euro. Më të prekur janë programi i arsimit për 90 mijë e 551 euro dhe programi i shëndetësisë prej 51 mijë e 712 euro.
“Sfidë tjetër është planifikimi dhe sidomos realizimi i të hyrave vetjake të Komunës. Realizimi i grumbullimit të të hyrave vetjake të planifikuara për këtë vit është si vijon: Të planifikuara janë 3 milionë e 807 mijë e 300 euro. Prej tyre, paga dhe mëditje janë 90 mijë për arsim e shëndetësi, 479 mijë e 948 janë shërbime dhe mallra, duke përfshirë administratën, shëndetësinë, arsimin dhe shërbimet publike. Komunali janë 118 mijë e 600 euro. Për subvencione janë 710 mijë euro, duke përfshirë zyrën e kryetarit, shëndetësinë, arsimin, kulturën, shërbimet publike dhe shëndetësinë. Ndërsa për investime kapitale, janë 2 milionë e 408 mijë e 752 euro, ku përshihet infrastruktura publike, urbanizmi, zhvillimi ekonomik, bujqësia dhe infrastruktura rrugore. Megjithë përparimet e dukshme nga viti në vit dhe rritjen në vazhdimësi të të hyrave, posaçërisht nga tatimi në pronë, Komuna e Ferizajt edhe më tej ballafaqohet me vështirësi të inkasimit të borxheve të prapambetura. Shuma e borxhit të painkasuar, që qytetarët, e posaçërisht bizneset, ende nuk ia kanë paguar Komunës, arrin deri 7 milionë e gjysmë milionë euro. Kjo shumë përbën gati një të katërtën e buxhetit të tërësishëm vjetor të Komunës së Ferizajt, ndërsa inkasimi i saj, do të sillte mundësi shumë të mëdha investive në Ferizaj e rrethinë. Pushteti lokal tashmë ka filluar, ndërsa në vazhdim e ka ndërmend ta fuqizojë një fushatë sensibilizuese, për të bindur borxhlinjtë se duhet t’i paguajnë shumat e prapambetura. Fushata është përqendruar tek informimi i qytetarëve dhe i bizneseve për mundësinë e riprogramimit të borxheve, në mënyrë që të mund t’i paguajnë më lehtë në një periudhë të përshtatshme kohore, si dhe tek dobia e madhe për mundësitë investive të Komunës. Fushata ka të bëjë edhe me sensibilizimin e atyre që kanë marrë me qira pronat komunale, në mënyrë që të jenë më të përgjegjshëm për obligimet e tyre”, ka thënë Svarqa.
Në këtë debat të organizuar nga Instituti Gap, kryetari i Komunës së Ferizajt, ka thënë se ka sfidë tjetër edhe racionalizimin e shpenzimeve që bënë administrata komunale.
“Qevria lokale ka vendosur të ushtrojë kontroll të rreptë ndaj shpenzimeve për karburante, për komunikime dhe për plotësimin e nevojave të tjera, në mënyrë që ato të jenë sa më të arsyeshme. Në racionalizim përfshihet edhe kujdesi që duhet të tregojnë njësitë e administratës, për të mos krijuar konteste gjyqësore, të cilat Komuna mund të mos i fitojë, duke krijuar kështu kosto të panevojshme financiare. Komuna e Ferizajt tashmë ka përvojë të hidhur me këtë fushë. Janë mbi 1 milionë euro borxhe që pushteti lokal ua ka palëve, të cilat i kanë fituar kontestet. Prandaj zyra ligjore e Komunës së Ferizajt ka marrë përsipër një azhuritet më të madh dhe përgjegjësi të shtuar për të qenë më efikase, në drejtim të kursimit të Komunës nga mundësia e dëmtimit financiar për shkak të proceseve gjyqësore në dëm të saj.
Sfida e gjashtë buxhetore, për mendimit tim është mundësia e reduktimit numrit të të punësuarve në administratën komunale.
“Numri i madh i nëpunësve në administratë, nuk është problem vetëm i Ferizajt. Ne kemi 288 nëpunës të angazhuar në punë, ndërsa sipas kritereve të Bashkimit Evropian, do të duhej të kemi më pak se 160, ose gati gjysma e nëpunësve aktualë, janë tepricë. Më shumë se gjysma e buxhetit të Komunës, shpenzohet për të paguar rrogat e nëpunësve. Unë mendoj se me shtimin e efikasitetit të administratës, reduktimi i saj në përputhje me kriteret evropiane, do të ishte me përfitime shumë të mëdha dhe në interes të qytetarëve. Megjithatë, numrin e nëpunësve dhe të të punësuarve në sektorin publik, nuk e cakton Komuna. Por ajo do të lobojë dhe të bëjë trysni tek autoritetet qeveritare për një racionalizim të vazhdueshëm të vendeve të punës, në të mirë kursimeve buxhetore të panevojshme. Sepse administrata e Ferizajt sot ballafaqohet me një dukuri të pakuptimtë: ndërkohë që në sektorë të caktuar të saj ka tepricë kuadrosh që nuk kanë angazhime të mjaftueshme, një sektorë të tjerë, shumë të nevojshëm, siç është, bie fjala, inspektorati, mungojnë kuadrot e domosdoshme për të përballuar punët dhe detyrat e shumta”, ka përfunduar Svarqa.
Mirëpo përfaqësues të opozitës së Ferizajt të cilët kanë hartuar dhe kanë punuar me buxhetin aktual vlerësojnë se borxhet nuk duhet të paraqesin problem për investimet në projektet kapitale dhe për arsye se vonesat në pagesa konsiderohen të zakonshme në sferën buxhetore.
Ndërsa përfaqësuesit e shoqërisë civile, kanë ftuar qytetarët që të jenë sa më aktiv kur bëhet fjalë për të drejtat e tyre në mënyrë që paraja publike të shpenzohet aty ku ka nevojë dhe në mënyrën më të drejtë .
Nga analizat e bëra nga instituti për studime të avancuara GAP u bë e ditur se nga 6 komunat më të mëdha ku janë marrë këto të dhëna u bë e ditur se komuna e Ferizajt qëndron më mirë se disa komuna të tjera rreth shpenzimit të buxhetit por u rekomandua që te tregohet kujdes më I shtuar rreth implikimeve financiare në mënyrë që të mos krijohen problem me borxhe dhe konteste gjyqësore.
Në një debat te organizuar sot për sfidat e buxhetimit te komunave nga instituti për studime te avancuara GAP u theksua nevoja që të ketë sa më shumë përfshirje të nevojave të qytetarëve në kohën kur bëhet planifikimi i buxhetit për vitet në vijim.