Ka përfunduar aksioni për vaksinimin e qenve në Komunën e Ferizajt i filluar kohë më parë. Sipas inspektorit të veterinës Ridvan Berishës, aksioni ka pasur një rëndësi shumë të madhe.”Vaksinimi bëhet kundër sëmundjes së tërbimit, i cili kalon nga kafshët tek njeriu”, është shprehur Berisha duke theksuar faktin se mjetet janë sjell nga Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa vaksinimin e kanë kryer klinikat veterinare të Ferizajt, të cilat kanë qenë të kontraktuara nga ky agjension, ndërsa komuna ka pasur për qëllim që të bëjë pagesën nga 2 euro për një krerë.
Inspektori i veterinës, Ridvan Berisha thotë se gjatë këtij aksioni është arritur që të vaksinohen rreth 3445 qenë, përfshirë këtu qentë e fshatrave, por edhe në qytetin e Ferizajt.” Ky aksion ka qenë shumë i nevojshëm dhe është obligativ duke u bazuar edhe në udhëzimin administrativ për luftimin e sëmundjeve infektive zoonotike-terbim(rabies). Patjetër është dashur të përfundojë dhe për këtë Qeveria i ka siguruar mjetet për shërbim, kurse komuna e ka paguar vetëm shërbimin në terren që e kanë kryer klinikat veterinare”, tha Berisha.
Është bërë e ditur se zyrtare të inspektoratit komunal të Drejtorisë së Bujqësisë, kanë bërë edhe monitorimin e këtij vaksinimi nëpër fshatrat: Manastirc, Pleshinë, Balaj, Zaskok , Greme, Gaçkë, Varosh, Komogllavë, Mirash, Prelez dhe Lloshkobare dhe në bazë të këtij monitorimi ka dal se ky aksion është zhvilluar normalisht dhe nuk ka pasur asnjë problem. Vaksinime të tilla bëhen çdo vit.
Bazuar në udhëzimet administrative për luftimin e sëmundjeve infektive zoonotike-tërbimin (rabies), inspektorati veterinar i Komunës, në bashkëpunim me zyrtarë të Drejtorisë së Bujqësisë në Ferizaj, ka bërë monitorimin e vaksinimit të qenve.