Kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, vlerësoi "Javën e Biznesit Kosovar", si shumë të rëndësishme për Kosovën, e në veçanti tani për qytetin e Ferizajt, pasi që, sipas tij, kjo kujton se prodhimet vendore meritojnë konsumim dhe me këtë rast rritet edhe ekonomia e cila është sfida më e madhe pas çlirimit të Kosovës. "Gjithëherë janë nevojitur sfidat, si gjatë çlirimit por edhe për ta formuar shtetin e Republikës së Kosovës. Sot, ne mburremi që kemi shtetin tonë por duhet t’a krijojmë vetëdijen shtetëformuese sepse të tjerët e kanë këtë, por neve si shtet i ri na nevojitet një përkushtim më i madh në këtë drejtim", ka thënë Xhemaili, duke shtuar se ajo çka duhet të bëjmë është zhvillimi ekonomik pa të cilin nuk mund të ecim përpara dhe pa të cilin nuk ka super strukturë dhe shteti nuk ka fuqi. "Ju sugjeroj dhe apeloj, që prodhimet vendore të konsumohen, sepse, ne jemi ata që i prodhojmë dhe inkuadrohemi në to dhe në këtë aspekt ka dobi të shumta", ka thënë Xhemaili.
Për vlerat e prodhimeve vendore të cilat promovojnë vlerat ekonomike, Agim Shahini, kryetar i AKB, ka thënë se ato promovojnë vlerat e një shteti ndërsa konsumatorët bëhen pjesë e zhvillimit ekonomik të shtetit më të ri të botës. Objektivat e AKB-së, sipas Shahinit, janë që të promovoj shtetin e Kosovës dhe potencialet e saja. "Për këtë, ne nuk jemi vetëm, kemi institucionet më të larta shtetërore që mbështesin aleancën dhe aktivitetin e saj", ka thënë Shahini, duke falënderuar kryetarin Xhemaili, për përkushtimin dhe angazhim. "Ai gjithmonë u është përgjigjur ftesave të AKB-së, për të bërë politika sa më të mirë për qeverisjen lokale. Prandaj edhe mandati i dytë i kryetarit nuk është i rastësishëm, por është mandat të cilin e ka merituar dhe bizneset janë duke e vlerësuar punën e tij", ka thënë Shahini.
Ai për politikat të cilat mbrojnë prodhimet vendore, ka thënë se, ato duhet të kopjohen nga vendet e ndryshme, pasi që ato avancojnë ekonominë vendore. "Prodhuesit vendorë, janë diskriminuar ndaj importit të pa kontrolluar, import i cili shpesh është edhe i dyshimtë sepse hynë në pika pa u kontrolluar nga institucionet të cilat kontrollojnë ushqimin", ka thënë Shahini, duke shtuar se "Javët e biznesit kosovar" do të vazhdojnë gjatë tërë vitit të promovojnë vlerat ekonomike, pasi që ato janë për t’u lakmuar dhe ato çdo ditë po bëhen më të kërkuara.
AKB- ja, në "Javët e Biznesit Kosovar 2010", të premten në Ferizaj, u prezantuan me 100 kompani dhe me gjithsej 5 mijë produkte. Produkte të cilat, qytetarëve u ofroheshin me çmime promovuese, 30 përqind më lirë se sa shiten në treg, çmime këto që gjinden vetëm gjatë javës së biznesit.
Aleanca Kosovare e Bizneseve, për herë të tetë, organizoi "Javën e Biznesit Kosovar", në Ferizaj, ku u prezantuan firma të ndryshme vendore me prodhimet e tyre. Aktiviteti i javës së biznesit, nga të pranishmit u cilësua si një ngjarje nga më të rëndësishmet ekonomike në vend.