Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Ferizaj, Burim Karameta, gjatë një konference për medie ka thënë se gjatë tremujorit të fundit të këtij viti, dikasteri që ai drejton i është qasur funksionalizimit sa më të madh të qendrave të mjekësisë familjar në tërë komunën, duke përmendur investimet që janë bërë në përmirësimin e infrastrukturës në qendrën e Komogllavës, Varoshit, si dhe nisjen e punimeve për ngritjen e një qendre të re mjekësore për fshatrat, Zaskokë, Pleshinë dhe Dubravë.
Karameta ka përmendur edhe investimet që janë bërë në pajisjet mjekësore, të cilat sipas tij dukshëm e kanë ngritur nivelin e punës në qendrat mjekësore.
"Kjo na mundëson neve që të ngrisim cilësinë dhe të ulim koston e shpenzimeve në shëndetësi. Ekskluzivisht mund ta them se ne jemi në pranim e sipër të paisjeve mjekësore për qendrën emergjente primare dhe në stomatologjinë ku i kemi të funksionalizuar të gjitha shërbimet e saj", ka thënë Karameta.
Duke folur për planet në sektorin e shëndetësisë, Karameta, ka bërë të ditur se janë në pritje të fillimit të punimeve në qendrën e mjekësisë familjare që gjendet në rrugën "Kadri Zeka" dhe çerdhës, ndërsa ka paralajmëruar që së bashku me institutin onkologjik po bëjnë përpjekje për funksionalizmin e një dhome për PAPA-testin.
I pari kësaj drejtorie, Burim Karameta, ka folur edhe për aspektet sociale, të cilat sipas tij janë me probleme. Përveç aktiviteteve të rregullta në këtë sektor po mendohet edhe për një program mbështetës për sezonën e dimrit.
"Program dimëror për të gjitha rastet sociale ne kemi. Jemi në bisedime me Drejtorinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë që me lëndë drusore t’i furnizojmë numrin më të madh të familjeve gjatë sezonës së dimrit", ka thënë Karameta.
Për më tepër lidhur me projektin e spitalit i cili është pritur që të nis sivjet por që tenderi tij është anuluar, drejtori i shëndetësisë, Burim Karameta, ka thënë se spitali përbënë njërin prej projekteve më të rëndësishme për komunën por që zvarritja e tij dhe ndoshta dështimi i tij i atribuohet ndikimeve politike, tendencave dhe inateve politike.
"Për shkak të këtyre inateve të humbim një projekt të këtillë me vlerë prej rreth 30 milion eurove është një naivitet i llojit të tij. Këtë nuk mund ta kualifikoj ndryshe por veç si problem politik. Nuk është problem lokacioni, ne jemi në gjendje që ta kthejmë spitalin në lokacionin e parë edhe pse është jo adekuatë, veç le të ndërtohet por edhe kjo nuk bëhet", ka thënë Karameta, duke përmendur me këtë rast edhe vullnetin e kryetarit të komunës Muharrem Svarqa, për jetësimin e këtij projekti pavarësisht investitorëve.
"Në vitin e ardhshëm do të ndahet buxheti nga qeveria për spitalin pa pjesëmarrjen e komunës, por edhe me këtë rast ka tendenca politike nga akterët e ndryshëm që kjo të mos bëhet. Edhe ndërrimi drejtorit të spitalit ka qenë i motivuar politikisht", ka thënë Karameta.
Funksionalizimi i Qendrave të Mjekësisë Familjare, investimet në infrastrukturën e këtyre qendrave dhe në pajisjet mjekësore janë numëruar të premten si suksese të Drejtorisë për Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale të Ferizajt, ndërsa sipas zyrtarëve të kësaj drejtorie, anulimi i tenderit të spitalit për shkaqe politike dhe aspektet sociale përbëjnë sfidën e këtij dikasteri.