Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajaredin Kuçi, në fjalën e tij ka thënë se në kuadër të arkitekturës juridike gjithmonë ka pasur në mendje ligje të mira dhe funksionale për vendin tonë, infrastrukture të domosdoshme për punë dhe ambient për punën dhe investime në kuadër, do të thotë në prokurorë dhe gjyqtarë të pavarur, të paanshëm, profesional dhe të ngritur edhe me dinjitetin e tyre. “Dhe sot dua të them që i kemi që të gjitha këto në Republikën e Kosovës, këto janë edhe në Prokurorinë Themelore të Ferizajt. Mund të ju them se tani na mbetet që ky objekt modern të përkthehet, do ta thoja në kualitet të punës. Kualiteti nënkupton që të kemi veprime të mira që garantojnë respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në tërësi por dhe ndjekjen penale të gjithë atyre që e shkelin ligjin. Unë dua të përgëzoj për punën që po e bënë prokurori i shtetit dhe të tjerët dhe tani ju garantoj se do ta keni tërë mbështetjen tonë”, ka thënë Kuçi .
Se efikasiteti i punës së organeve të drejtësisë është i varur nga krijimi i kushteve dhe ambientit për një punë të suksesshme e ka thënë edhe Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, i cili në fjalën e tij ka thënë se ministria që ai e drejton e ka pasur rolin teknik në jetësimin e këtij projekti dhe vendosjen e standardeve të larta për punë. “Do të vazhdojmë edhe më tutje që të krijojmë kushte për punën e sistemit të drejtësisë. Në këtë aspekt do të vazhdojmë do të implementojmë politika të qeverisë edhe në fusha të tjera që të plotësojmë standarde të infrastrukturës”, ka nënvizuar Jagxhillar.
Në anën tjetër Kryeprokurori i Prokurorisë së Shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi, ka qenë më i gjatë në fjalën e tij, duke vënë theksin në atë se stafi i kësaj prokurorie tani e tutje do të ushtroj veprimtarinë e përditshme në kushte të mira. Ai ka nënvizuar se me ngritjen e këtij objekti dhe me plotësimin e vendeve të lira për prokuror të rinj do të krijohen kushte më të mira që Prokuroria Themelore në Ferizaj të filloj t’i përmbushë më fuqishëm përgjegjësitë e saja në luftimin e dukurive negative, me të cilat përballet shteti i Kosovës në rrafshin e sundimit të ligjit siç janë korrupsioni, terrorizmi, krimi i organizuar dhe shumë vepra tjera që rrezikojnë jetën, pasurinë, pronën, sigurinë dhe paqen e qytetarëve tanë. “Fakti që deri më tani janë ndërtuar objekte të reja për nevoja të prokurorisë në disa qytete të Kosovës na jep të drejtë për të besuar se pushteti ekzekutiv është duke u angazhuar në përmirësimin e kushteve të punës për sistemin prokurorial të Kosovës. Të gjithë ju që do të ushtroni veprimtarinë në këtë objekt të financuar nga buxheti i Kosovës duhet të dini se keni detyrë shumë të rëndësishme dhe duhet të jeni të vetëdijshëm për rolin tuaj në shoqëri”, ka thënë Lumezi, teksa ka potencuar se prokurorët e shtetit duhet të jenë vendosur që t’i kryejnë obligimet kushtetuese dhe ligjore kundër atyre që keqpërdorin pasurinë e shtetit që cenojnë të drejtat e njeriut si dhe vlerat shoqërore të garantuara dhe të mbrojtura me Kushtetutën e vendit dhe me të drejtën ndërkombëtare.
Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie u shpreh i lumtur me të arriturat e sistemit të drejtësisë, por duke përmendur gjithnjë se ka ende shumë punë për të bërë për të qenë në hap me zhvillimet moderne. "Përpjekjet tona janë të vazhdueshme që kjo pjesë e shoqërisë kosovare të përfitojë sa më shumë. Kemi investuar në përgatitje të kuadrove si dhe do të investojmë edhe më tutje. Ajo për çka na duhet të jemi më të përgatitur më tutje është forcimi i bashkëpunimit mes shumë faktorëve për të arritur rezultate të lakmueshme në sfidat që na dalin para si dhe në forcimin e sundimit të ligjit kudo ndonëse nuk është e lehtë" tha ambasadori Delawie.
Kryetari I Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka vë theksin në atë se kushtet e punës janë me rëndësi për suksesin e një institucioni, sic është prokuroria,por sipas tij, funksionalitetin e institucionit, më shumë e bëjnë njerëzit, e bëjnë përkushtimi, angazhimi dhe synimi që punët të kryhen për zbatimin e misionit dhe detyrave në shkallë sa më të lartë. “Sigurisht qe kushtet e punës janë me rëndësi për suksesin e një institucioni, siç është prokuroria. Por funksionalitetin e institucionit, më shumë e bëjnë njerëzit, e bëjnë përkushtimi, angazhimi dhe synimi që punët të kryhen për zbatimin e misionit dhe detyrave në shkallë sa më të lartë. Shoqërinë tonë e presin punë shumë të rëndësishme për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Në këtë aspekt, prokuroria është nga institucionet vendimtare për të ndjekur krimin dhe veprat e paligjshme . Të gjithë ne, edhe si zyrtarë, edhe si qytetarë, presim me padurim kontributin e institucioneve të drejtësisë për të vendosur rend dhe ligj në këtë vend, për drejtësi, e cila do të ishte e barabarte për të gjithë. Por, për të realizuar këtë detyrë, së pari duhet të ndiqet, të zbulohen dhe të dënohen krimi në përgjithësi dhe krimi i organizuar në veçanti”, është shprehur kryetari Svarqa.
Krijimi i kushteve për punë të suksesshme është vlerësuar edhe nga Kryetari I Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani dhe përfaqësuesja e EULEX-it Jeroslava Navotna, ndërsa Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, Agron Çalaj, ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar avansimin e kushteve për punë në këtë institucion. Ndryshe, u tha se për nevojat e drejtësisë kosovare gjatë vitit të ardhshëm do të jepen edhe 12 milionë dollarë ndërsa gjatë këtij viti do të jepen rreth 3 milionë dollarë për të përmirësuan transparencën dhe llogaridhënien e kësaj fushe, ndërsa përfaqësues të Prokurorisë së Eulexit potencuan se do të jenë këtu edhe për një kohë të gjatë për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme për stafin vendor
Solemnisht të mërkurën është bërë inaugurimi i objektit të ri të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, me ç’rast është thënë se me krijimin e kushteve më të mira për punë, ky institucion i rëndësishëm i shtetit do të filloj t’i përmbushë më fuqishëm përgjegjësitë e saja në luftimin e dukurive negative, me të cilat përballet shteti i Kosovës në rrafshin e sundimit të ligjit.