Në mbledhjen komemorative të organizuar nga Komuna e Ferizajt, u dha lamtumira e fundit koreografit të shquar ferizajas, Bajram Tahiri. Në këtë ngjarje morën pjesë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, përfaqësues të artit dhe kulturës, si dhe mysafirë të shumtë.
Me këtë rast, Kryetari Aliu u shpreh:
“Lamtumirë emblemë e artit dhe e kulturës, e valles shqipe, e traditës dhe trashëgimisë sonë. Ferizajas i shquar, Bajram Tahiri!
Në qiellin e përjetësisë, vepra jote skaliti krenarinë dhe lavdinë, për të cilat arti dhe kultura kombëtare, e Ferizajit në veçanti, do të jenë mirënjohëse përjetë.
Lamtumirë, mik i shtrenjtë, i papërsëritshmi yll i valles shqipe, Bajram Tahiri!”
Në fund, Kryetari Aliu shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen Tahiri, komunitetin artistik, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan veprën e të ndjerit.