Një delegacion i Komunës së Ferizajt, i përbërë nga drejtues të institucioneve të kulturës, drejtues të AKKV “Kastriotët”, organizatorë të festivalit
“Kosovarja Këndon”, bashkëpunëtorë e punonjës të kulturës, prirë nga drejtorja Xhemile Murati Shabani morën pjesë sot në homazhet e organizuara në Teatrin Kombëtar me rastin e ndarjes nga jeta të artistit të përmasave gjithëkombëtare, kompozitorit të mirënjohur, Fahri Beqiri.
Gjatë ditës së sotme, edhe i pari i Ferizajt, Agim Aliu përmes një telegrami ngushëlloi familjen Beqiri, kolegët, komunitetin artistik dhe gjithë të njohurit e të ndjerit.
“Me dhembje, morëm lajmin se kësaj bote i dha lamtumirën, artisti i përmasave kombëtare, kompozitori i mirënjohur, një nga mbështetësit e ditëve të para dhe lartësuesit artistik të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” në Ferizaj si dhe Festivalit “Kosovarja Këndon”, profesori i nderuar, Fahri Beqiri. Ferizaj humbi një nga artistët që i dha shumë, përmbi katër dekada, kulturës ferizajase, gjersa bota shqiptare humbi kompozitorin e çmueshëm, muzikës që të gjithëve na bënë krenarë e që ka autorësinë e tij.Ngushëllime të sinqerta familjes së respektuar Beqiri, komunitetit të artistëve, kolegëve dhe gjithë të njohurve të të ndjerit. Dritë pastë shpirti i tij fisnik!” mbyllet telegrami i ngushëllimit të Kryetarit Aliu me rastin e ndarjes nga jeta të kompozitorit Fahri Beqiri.
Kujtojmë se kompozitori i mirënjohur Fahri Beqiri, për mbi katër dekada dha një kontribut të çmueshëm në ngritjen artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” në Ferizaj si dhe organizimin e Festivalit unik “Kosovarja Këndon”, duke bërë personalitetin e tij, të pazëvendësueshëm në kontributin për kulturën në Ferizaj.