Komuna e Ferizajt përkatësisht Zyra e Prokurimit, këtyre ditëve ka shpallur tenderin për rregullimin e qendrës së qytetit, nga ish hoteli “Lybeten” e deri tek sheshi “Hyrë Emini”.
Rregullimi i këtij bulevardi konsiderohet si mjaft i rëndësishëm për qytetarët ferizajas, duke ofruar hapësirë të lire për qarkullimin e këmbësorëve, ambient për pushim dhe aktivitete te ndryshme.
“Rregullimi i bulevardit të qytetit po bëhet ashtu siç është paraparë me planin zhvillimor urban dhe në planin rregullativ qendër, planet të cilat janë miratuar në Kuvendin Komunal, do të thotë janë plotësuar pjesët ligjore të projektit”, ka thënë Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit, Zhvillimit dhe Rindërtimit Ardian Ferizi.
Drejtori Ferizi, sqaron se pjesa nga ish hoteli “Lybeten” e deri tek sheshi “Hyrë Emini” do të jetë e mbyllur për komunikacion.
“Qendra e qytetit do të rregullohet me pllaka, do të vendosen ulëse, po ashtu do të vendoset edhe ndriçimi i ri në këtë pjesë të qytetit. Komunikacioni do të orientohet në pjesën pas postës së qytetit dhe në asnjë mënyrë nuk do të ketë bllokim të komunikacionit”, është shprehur Ferizi.
Ne fazat tjera, sipas planeve rregullative urbane, parashihet të ndërtohet edhe parkingu nëntokësor me partneritet publiko privat, pastaj edhe zgjerimi i rrugës “Ahmet Kaqiku” dhe asaj “12 Qershori”, dhe në përfundim të këtyre projekteve, në bazë të Planit Rregullativ Urban të Zonës Qendër, do të vie deri tek mbyllja komplet e rrugës “Dëshmorët e Kombit” deri tek rrethi i madh në qytetin e Ferizajt.
Ky projekt konsiderohet si njëri ndër projektet më kryesore për këtë vit. Projekti i bulevardit të qytetit është duke u zhvilluar në kuadër të implementimit të planit rregullues të qendrës së qytetit, i cili plan parasheh mbylljen e rrugës kryesore për qarkullimin e automjeteve duke ofruar hapësirë të lire për qarkullimin e këmbësorëve, ambient për pushim dhe aktivitete për qytetarët. Synimi i Komunës është që ta urbanizojmë qytetin duke ofruar hapësira sa më të përshtatshme dhe të sigurta për qytetarët. Realizimi i këtij projekti pritet të filloje në fund te muajit maj.