Ministri për Diasporë në Qeverinë e Kosovës, Ibrahim Makolli në hapje të këtij manifestimi ka thënë se suksesi i bashkatdhetarëve tanë në diasporë dhe veçan i atyre që krijojnë vepra është sukses yni si komb.
"Mërgata jonë nuk është ajo siç ka qenë para 20-30 vjetësh, mërgata jonë është një pasuri kombëtare akademike, politike, kulturore, sportive dhe si e tillë ka një vëmendje të veçantë nga ana e institucioneve shtetërore. Shoqëria jonë me vetë faktin se ka krijuar tashmë mekanizma shtetëror për përkujdesje të mërgatës, dëshmon përkushtimin që kanë institucionet në tërësi në drejtimin e kësaj pjese të popullit, e cila numerikisht nuk është e vogël" ka thënë ministri Makolli.
Edhe në hapje të këtij manifestimi është folur me pietet për figurën e poetit Ali Podrimja, ndërsa është thënë se me ikjen e tij kultura shqiptare në përgjithësi është varfëruar, por vepra e Podrimjes do të jetë e gjallë dhe frymëzuese për lexuesin.
Edhe zëvendësministri për Kulturë, Hajdin Abazi ka thënë se ka përjetuar jetën e të qenit mërgimtar, pasi ka jetuar 20 vjet në mërgim, duke vlerësuar se ardhja në vendlindje dhe atdhe përbën një ndjesi në vete, takimet me miq, njohja me zhvillimet në vend dhe të arriturat në shumë fusha, i ka vlerësuar të jenë me interes. Abazi ka thënë se këto ditë u shërbejnë mërgimtarëve tanë edhe për mbushje të baterive për të kaluar një vit tjetër në mërgim me shumë sukses.
Në kuadër të këtij organizimi pas hapjes ceremoniale janë promovuar librat e poetit shqiptar Skënder Sherifi, " Love", "Trio e përjetshme" , është hapur ekspozitë personale e piktorit që jeton në diasporë Hafir Hoxha dhe një ekspozitë me fotografi e gazetarit dhe veprimtarit ferizajas titulluar "Shkolla shqipe në Zvicër".
Në Ferizaj janë hapur "Ditët e Diasporës 2012" një organizim që për pesë ditë me radhë mëton të sjell për bashkatdhetarët tanë aktivitete të larmishme nga fusha e artit dhe kulturës, duke promovuar vlera nga këto fusha nga autorë rezidentë pa përjashtuar krijuesit e shumtë që veprojnë në diasporë në aspektin e shpalosjes së veprave të tyre më të reja.