Departamenti për Arsim i degës së PDK-së në Ferizaj, i ka bërë thirrje të premten Inspektoratit për Krime Ekonomike që të hetoj rastin e ekskursionit pesë ditor të nxënësve të shkollave të mesme të komunës në Shqipëri, duke nxjerrë në sipërfaqe shumë parregullsi e keqpërdorime që sipas drejtuesve të këtij departamenti adresë të vetme e kanë pushtetin aktual të komunës.
Por të gjitha këto këto parregullsi të ngritura nga dega e PDK-së, i ka demantuar i pari i Arsimit të Ferizajt, Muhamet Halili, i cili ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunoi me organet e ndjekjes, ngase në krejt këtë muhabet nuk qëndron asnjë e vërtetë. Sipas tij, përzgjedhjen e ofertuesit nuk e ka bërë Drejtoria e Arsimit, por shkollat, sikurse të gjitha herëve.
"Nuk është e vërtetë që drejtoria ka vendosë për hotelin. Unë si drejtor i kam thirrur të gjithë drejtorët e shkollave të mesme para se ata me marr një vendim të tillë, i kam kërkuar referencat nga viti i kaluar, të cilat kanë qenë pozitive dhe pas një analize që e kemi bërë bashkë kemi konkluduar se ai hotel i plotëson kriteret", ka thënë Halili, për të shtuar se në adresë të drejtorisë nuk evidentuar asnjë ankesë nga ndonjë prind apo nxënës.
"Raportet e drejtorive të shkollave flasin me tone pozitive për qëndrimin në Shqipëri. Tendenca e shprehur nga PDK-ja se gjoja në një dhomë kanë fjetur 10 nxënës nuk qëndron ngase vet kam qenë në vizitë dhe maksimumi i shtretërve në një dhomë ka qenë katër. Është e kuptueshme që nganjëherë shoqërimi i nxënësve gjatë natës i ka bashkuar nëpër dhoma. Nuk është e vërtetë që hoteli "Elba" ia ka kapacitete e limituara siç pretendon PDK-ja, por që kapacitetet e saj janë 500 shtretër", ka thënë drejtori Halili.
Ndryshe, zyrtarët e arsimit kanë thënë se janë të hapur për bashkëpunim me prokurorinë e shtetit dhe se nuk kanë se çka të fshehin lidhur me ekskursionin, ndërsa zyrtarët e PDK-së kanë thënë se disponojnë me dëshmi që e tregojnë të kundërtën e kësaj storie, e që këto dëshmi janë sjellë nga vetë nxënësit.
Pas akuzave të PDK-së në Ferizaj, ka reaguar edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit Muhamet Halili. Ai ka thënë se këto akuza janë të pabaza.