Kryetarja e Grupit të Grave të Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Fatbardha Zogaj-Reka, së bashku me anëtaret e tjera të këtij grupi, ka zhvilluar sot një takim pune me zyrtarin e OSBE-së në Kosovë, Afrim Nesreti.
Takimi kishte për qëllim krijimin e raporteve të bashkëpunimit dhe identifikimin e mundësive për realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta, në funksion të fuqizimit dhe avancimit të rolit të grave në institucionet lokale dhe në shoqëri.
Një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte hartimi i një plani të punës dhe veprimit, përmes të cilit do të përcaktohen qartë prioritetet, objektivat dhe aktivitetet që do të realizohen në bashkëpunim në periudhën e ardhshme.
Gjatë takimit u theksua se mbështetja dhe bashkëpunimi i OSBE-së nuk do të mungojë, me qëllim që Grupi i Grave të Kuvendit të Komunës të përmbushë sa më denjësisht rolin dhe përgjegjësitë e tij në përfaqësimin e interesave të grave.
Po ashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe mundësia e themelimit të një komiteti jo të obligueshëm për çështjet e grave, si një mekanizëm shtesë që do të kontribuonte në trajtimin dhe avancimin e mëtejmë të pozitës së grave në nivel lokal.