Ferizaj, 16 maj 2025 – Komuna e Ferizajt, në bashkëpunim me organizatën “Women for Women”, ka zhvilluar një takim me gratë ndërmarrëse të qytetit, me fokus te mundësitë për mbështetje institucionale dhe trajnimet që synojnë zhvillimin e bizneseve të udhëhequra nga gratë.
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Balton Derguti, prezantoi para të pranishmëve projektet e planifikuara për këtë vit nga drejtoria që ai drejton, duke theksuar përkushtimin për të mbështetur konkretisht gratë ndërmarrëse dhe bizneset startup përmes subvencioneve, mentorimit dhe inkurajimit të pjesëmarrjes aktive në ekonomi.
Ndërkohë, Kushtrim Shehu, përfaqësues i organizatës “Women for Women”, foli për programet aktuale të trajnimit që ofron organizata, si dhe për mundësitë e financimit përmes granteve që u mundësojnë grave zhvillimin e mëtejshëm të ideve të tyre afariste.
Ky takim u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit civil, me synimin që gratë e Ferizajt të kenë më shumë mundësi për pavarësi ekonomike dhe përfshirje aktive në jetën socio-ekonomike të komunës.