“Vdekja e legjendës” është premiera e shfaqjes që do të hapë festivalin e teatrove në Ferizaj të premten në mbrëmje. Kjo shfaqje është përgatitur nga teatri i qytetit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj me regji të Besim Ugzmajlit.
Sipas drejtuesit të këshillit organizativ të këtij festivali Fatmir Hysenit tashmë janë përfunduar të gjitha përgatitjet për këtë festival.
Në festivalin e teatrove të Kosovës, do të marrin pjesë trupa teatrale nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.”Festivali do të hapet të premten në orën 19.45 ku menjëherë pas hapjes së festivalit do të jetë premiera e shfaqjes së tetarit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, “Vdekja e legjendës”, ka thënë Hyseni.
Në kuadër të festivalit do të mbahet edhe një debat për teatrot e qyteteve dhe statusi i tyre. “Përveç këtij debati e veçanta do të jetë se për herë të parë janë edhe dy shfaqje monodramë, gjë që më parë nuk ka ndodhur”, ka thënë Hyseni.
U bë e ditur se në festivalin e teatrove të Kosovës, do të jenë 11 shfaqje, dy prej tyre jasht konkurrencës. Jurinë e këtij festivali e përbejnë regjisori nga Maqedonia Sylejman Rushiti, regjisori nga Kosova Ben Apolloni si dhe aktorja ferizajase Leonora Hasani.
Nga 26 tetori deri me 1 nëntor do të mbahet festivali i teatrove të Kosovës në Ferizaj.