Ambulanta e re pritet të bëhet me standarde të reja dhe do të ketë të gjitha kapacitet për funksionimin e saj. Këtë projekt si tejet të rëndësishëm e ka vlerësuar edhe vet kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, në hedhjen e gurthemelit.
“Natyrisht që i ka munguar këtë lokaliteti, duke pasur parasysh se Komogllava është njëra ndër fshatrat më të mëdha, pas fshatit Greme dhe ne kemi qenë të interesuar që të kemi investime proporcionale edhe nëpër këto vendbanime”, është shprehur Svarqa.
U bë e ditur se për këtë projekt kanë qenë të ndara 130 mijë euro, por në bazë të procedurave të tenderimit, ky projekt është fituar me 100 mijë euro. U tha se pavarësisht çmimit të lirë, kjo ambulantë do të jetë ashtu siç është e paraparë edhe në projekt.
"Këtu kemi të bëjmë me projekt shumë të rëndësishëm i cili në vlerën e tij parallogariture ka kushtuar 130 mijë euro por që pas zhvillimit të procedurave të tenderimit është zhvilluar me 100 mijë euro", ka thënë Svarqa.
Ndërkaq drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj, Burim Karameta, është shprehur tejet i kënaqur me fillimin e realizimit të këtij projekti. Ai tha se gjatë viteve në vazhdimi planifikohet që edhe në disa fshatra të tjera të bëhen me ambulanta të tilla.
Tash për tash në Komunën e Ferizajt, funksionojnë 4 Qendra të Mjekësisë familjare si dhe disa punkte shëndetësore nëpër fshatra.
Këtë të premte në fshatin Komogllavë është vënë gurthemeli i ndërtimit të ambulantes. Ky projekt është vlerësuar si tejet i nevojshëm për banorët e këtij fshati.