Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Ferizajt, partia më e madhe opozitare(PDK), në fillim të kësaj mbledhje kërkoi nga drejtuesit e komunës që për para vetës të kenë një informatë për fillimin e vitit të ri shkollor, marrëveshjen e komunës së Ferizajt me Caritas Kosovën si dhe raportin nëntë mujor të shpenzimeve komunale.
Mustafë Grainca i PDK-së tha se tjetër po planifikohet e tjetër po vihet në rend dite, gjë që po ua pamundëson asamblistëve përgatitjen për të diskutuar profesionalisht.
Por, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa u shpreh i gatshëm që po në këtë seancë të raportojë për periudhën 9 muajshe. Kryetari Svarqa tha se vërejtjet e opozitës janë të pabaza dhe po punohet me mjaft transparencë.
Pavarësisht mjaft diskutimeve të prezantohen apo jo në këtë mbledhje raportet e kërkuara nga PDK-ja, kjo e fundit vendosi që ato të vihen në rend dite në mbledhjen e radhës, në mënyrë që t’u jepet kohë për të vlerësuar drejt përmbajtjen e dokumenteve.
Kërkesë drejtuar Kuvendit bëri edhe grupi kuvendor 3+,i konstituuar ditë më parë nga AKR-ja, PD-ja dhe PDAK-ja, kërkoi që të përfaqësohet me anëtar në Komitetin për Politikë e Financa.
Por kjo kërkesë e këtij grupi u refuzua, me arsyetimin se do të konsultohet ligji e më pas të vendoset për këtë çështje.
Në punimet e kësaj mbledhjeje, Kuvendi mori vendim që të formojë katër komitete konsultative, të përbëra nga shoqëria civile e komunitete të tjera joqeveritare. Komitetet konsultative do të jenë këta: Komiteti për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, Komiteti për Urbanizëm dhe Infrastrukturë, Komitetit për Administratë, si dhe Komitetin për Zhvillim Ekonomik, Turizëm dhe investime nga jashtë.
Po ashtu u vendos edhe për shndërrim të disa tokave bujqësore në ndërtimore për zhvillim ekonomik.
Drejtoria e urbanizmit ia propozoi Kuvendit edhe miratimin e vendimit për hapjen e shqyrtimit publik për planet rregulluese të zonave 6 e 7, por reagoi opozita duke thënë se pa arsye po hedhet në diskutim. Sipas këshilltares, Qazime Vata nuk është e nevojshme që kjo t’i adresohet Kuvendit. Mjafton që kryetari i Komunës ta hapë shqyrtimin publik. Megjithatë, kjo pikë u shtye për mbledhjen pasuese.
Në mbledhjen e muajit tetor të Kuvendit të Komunës, janë diskutuar çështje më rëndësi.