
Ishim me fat, që si gjeneratë, njëmbëdhjetë vjet përpara, përjetuam kufirin ndërmjet ëndrrës sonë shekullore të synuar dhe prekjen e saj.
Sa here gjendemi sot në varrezat e dëshmorëve, kalojmë pranë tyre apo ndjejmë edhe nga larg puhizën e tyre, na duket sikur zhytemi në vorbullën e shekujve, për të parë fatin tonë të nëpërkëmbur gjatë, në tavolinat e ndërskëmseve politike dhe më pas, për ta parë veten si popull, triumfues ndaj përpjekjeve shekullore për zhbërjen tonë si kulturë.
Sa herë përulemi ndaj heroizmit të dëshmorëve tanë, i kujtojmë vetes dhe botës se ideja jonë sociohistoike, si popull ishte: botëkuptimi më human dhe më fisnik për lirinë dhe paqen.
Sot, jemi të lumtur që jemi të lirë. Por, kjo lumturi është e dyfishtë, edhe për faktin se bota e qytetëruar euroatlantike, e kishte kuptuar synimin tonë për lirinë, jo vetëm si domosdoshmëri ekzistenciale, por edhe si një vlerë të civilizuar kulturore, me dimension të përbotshëm. Qëndresa jonë si popull, kërkesa jonë e drejtë historike, para 11 vjetësh, u legjitimuan ndërkombëtarisht, për të zënë vend përjetësisht në muzeun e arritjeve të madha të vlerave të përbotshme të qytetarisë.
Dhe, në atë muze, janë gdhendur në formën më fisnike të mundshme, heronjtë tanë nëpër shekuj, heroizmi i luftëtarëve tanë, pastërtia e plagëve të luftëtarëve tanë, thirrjet e fuqishme nga burgjet e kampet e përqendrimit, jehona e eshtrave që kërkojnë të prehen në tokën e tyre dhe mbi të gjitha, betimi i gjeneratave të ardhshme-në amanetin e brezave të shkuar.
Njëmbëdhjetë vjet pas, kujtojmë luftën e lavdishme të UCK-së, si fanar i ndezur prej brezash, në përmbushje të detyrimit shekullor për rrezatimin planetar të ëndrrës sonë për lirinë.
Komuna e Ferizajt, 11 vjet pas çlirimit, ndjehet e bashkuar dhe shume e vetëdijshme për detyrat që e presin. Secili prej nesh, i gëzohet arritjeve të mëdha në vitet e fundit dhe objektivit që i kemi vënë vetes, që në katër vjetët e ardhshëm, të përmbushen kërkesat bazike të qytetarëve tanë, për investime në infrastrukturën jetike dhe zhvillimore. Duke ndjerë domosdoshmërinë e prosperimit të mëtutjeshëm, ne kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt krijimit të mekanizmave që do të përshpejtojnë ritmin e zhvillimit të Komunës sonë. Jemi edhe më të motivuar në këtë drejtim, kur shohim se kemi partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë që janë të gatshëm të na ndihmojnë në fusha të rëndësishme të synimeve tona dhe, edhe në këtë rast, shfrytëzoj rastin që në emër të bashkëqytetarëve të mi, tu shpreh mirënjohjen miqve tanë ndërkombëtarë, më në krye SHBA-në, që na mbështetën përmbajtësish në luftë e në paqe.
Të nderuar pjesëmarrës, njëmbëdhjetë vjet përpara, ishte dita kur ne triumfuam. Por ishte edhe dita kur ne, morëm përgjegjësitë që të jemi pjesë dinamike e ndërtimit dhe kultivimit të vlerave të civilizuara humane, përkrah botës së qytetëruar. Jemi të vetëdijshëm se liria, paqja e demokracia, nuk kanë kufij të limituar.
Këto vlera, kërkojnë në mënyrë permanente angazhimin tonë në përplotësimin dhe emancipimin e tyre. Ndërsa, sot, kur ndjehemi detyrues ndaj veprës sublime të dëshmorëve tanë, e themi me ndërgjegje, se rruga jonë e nisur, si amanet i tyre, ka nisur të bëhet e plotë dhe domethënëse. Fillimi i ndërtimit të rrugës së kombit edhe në Kosovë, na jep gëzimin e fatit të një gjenerate e cila po prek betimin e brezave për domosdoshmërinë e integrimeve kombëtare e ndërkombëtare.
Të nderuar pjesëmarrës, më lejoni në fund, t’i ftoj të gjithë që bashkë të vazhdojmë me konsolidimin e shtetësisë sonë dhe t’i heqim edhe dilemat më të errëta për aftësitë tona shtetformuese.
Urime Dita e Çlirimit, respekt heroizmit e plagëve të luftëtarëve, martirëve e veprimtarëve tanë, lavdi dëshmorëve të kombit!
Ju faleminderit!
Ferizaj, 12 qershor 2010
Bajrush Xhemaili, Kryetar i Komunës
Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Komunës, të nderuara familje të dëshmorëve, drejtues të shoqatave të dala nga lufta, invalidë e veteranë të luftës, përfaqësues të institucioneve qendrore, përfaqësues të subjekteve politike,