
Çmimin për aktoren më të mirë e mori Zrinka Cvitesic, për lojën në filmin boshnjak “Në rrugë”, ndërsa për aktor më i mirë u çmua Jordan Simonov në filmin maqedon “Panku nuk ka vdekur”. “Hyjneshën në fron: për regjinë më të mirë e mori Mishel Leklerk për filmin francez “Emri i njerëzve”.
Juria shpërbleu me çmim special ish-kryeministrin francez Lionel Jospin, për një rol episodik në filmin “Emri i njerëzve”. Dhe së fundi, me çmimin “Kinemaja e së ardhmes” u vlerësua filmi i shkurtër kosovar “Intervista” e Burim Halitit.
Juria më këtë rast ka vlersuar lart këtë edicion të filmit. “Si juri, u pajtuam se është dukuri e rrallë që në festivale të gjithë filmat të jenë të mirë. Kemi parë festivale ku dy-tre filma janë të mirë, ndërsa të tjerët janë veç sa për ta plotësuar numrin. Mirëpo publiku ferizajas dhe ai që ka ardhur këtu nga pjesë të tjera të Kosovës, vërtet pati mundësinë të shohë filma shumë të mirë nga rajoni dhe nga vende të botës”, tha anëtari i jurisë, Imer Mushkolaj.
Ky edicion i festivalit “Hyjnersha në fron” u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe komuna e Ferizajt.
“Ministria e Kulturës me ato pak mundësi që ka, përpiqet t’i mbështesë iniciativat të cilat e afirmojnë artin dhe kulturën në përgjithësi dhe përmes kësaj, e afirmojnë edhe vendin tonë. Premtoj se ministria do të vazhdojë ta mbështesë këtë festival”, tha zv/ministri i kulturës Hajdin Abazi.
Festivali “Hynesha në fron” u mbajt për herë të parë në qytetin e Ferizajt.
Filmi nga Bosnjë e Hercegovina “Në rrugë” i skenaristes dhe regjisores Jasmila Zbanic, u shpall më i miri i edicionit të katërt të Festivalit të filmit “Hyjnesha në fron”.