Aktivitetet e Final4 të Kupës së Republikës së Kosovës kanë nisur të premten në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Në arenën kryesore të qytetit mbretëronte një atmosferë festive, duke e kthyer këtë ngjarje në një festival të vërtetë të hendbollit.
Ka nisur edhe zbatimi i projektit “Master Plan”, i cili realizohet përmes ligës së minihendbollit. Ky projekt i EHF-së është fituar nga Federata e Hendbollit e Kosovës.
Në Ferizaj, pjesë e “Master Planit” janë gjithsej dhjetë shkolla. Të premten u zhvilluan ndeshjet e xhiros së parë, ku nuk munguan entuziazmi dhe atmosfera sportive. Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 150 fëmijë.
Hapjen e këtij projekti të rëndësishëm e bënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Muhamet Arifi, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, si dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Bytyçi.
Të pranishëm ishin edhe drejtuesit e klubit të hendbollit Kastrioti dhe përfaqësues të Sportit Shkollor – Ferizaj.
“Master Plani” tashmë ka nisur të zbatohet në shumë komuna të vendit.