Në Ferizaj ka nisur sot turneu përfundimtar “Final 4” i Kupës së Kosovës në hendboll, i cili po mbahet në Palestrën Sportive “Bill Clinton”.
Në kuadër të këtij aktiviteti, nga ora 11:00 kanë filluar garat në Ligën e Shkollave – Minihendboll, ku po marrin pjesë nxënës të shkollave fillore, duke promovuar frymën e garës, bashkëpunimit dhe zhvillimit të talenteve të rinj.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë këto shkolla: “Gjon Serreçi”, “Tefik Çanga”, “Muharrem Shemsedini”, “Vezir Jashari”, “Astrit Bytyçi”, “Ahmet Hoxha”, “Ganimete Tërbeshi”, “Afrim Abazi”, “K. Kristoforidhi” dhe “Riza Matoshi”.
Organizimi i Ligës së Shkollave synon t’i afrojë fëmijët me sportin dhe të kontribuojë në zhvillimin e gjeneratave të reja në hendboll.
Ky aktivitet realizohet në bashkëpunim me Federatën Evropiane të Hendbollit, Federatën e Hendbollit të Kosovës, KH Kastrioti dhe Komunën e Ferizajt.
Ftohen qytetarët të marrin pjesë dhe të mbështesin këtë ngjarje sportive, e cila për disa ditë e kthen Ferizajn në qendër të hendbollit në vend.