Pjesmarrës në këtë festë ishin shkollat nga Gjakova, Prishtina, Ferizaj, Istogu, Kamenica si dhe nga Kukësi.
Të pranishmit me një fjale rasti i përshendeti, kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa.
“Festa e abetares, nuk si të mos na kthejë secilin në kohën kur kishim përfunduar së mësuari shkronjat dhe mendonim se tashmë ishim bërë të dijshëm e të mençur, prandaj i shikonim të tjerët më me krenari. Ky besim fëmijëror ka një çmim të pamatur në jetën e pastajme, sepse kultivon vetëbesimin, ndjenën se ke filluar rrugëtimin për t’i takuar botës së dijes e të arritjeve, që e çojnë njerëzimin përpara. Kjo është një përvojë që e kemi kaluar të gjithë. Dhe nga kjo përvojë e dimë se po ta shohës jetën me sytë e një fëmijë 7 –vjeçar, përfundimi i abetares është fundi i një beteje, jo më pak të rëndësishme e sfiduese, se betejat që vijnë pastaj për t’i përballuar vështirësitë e jetës. Këtu, pra, është fillimi i ballafaqimit me sfidat, me detyrat, me obligimet, me përkushtimin dhe me qëndrueshmërinë e përpjekjeve për të arritur me sukses deri në fund të një beteje. Këtu zënë fill e kaliten ndjenjat e bashkëpunimit, mbështetjes reciproke, të zgjidhjes së problemeve në grup e në bashkësi. Këtu zënë fill e shpalosen premisat e talenteve, synimeve e ambicieve për arritje në jetë”, ka thënë kryetari Svarqa, duke theksuar edhe rolin shumë të rëndësishëm të mësuesve.
“Së këndejmi, roli i mësuesve, është i jashtëzakonshëm: që t’u ofrojnë fëmijëve jo vetëm dije e detyra, por në radhë të parë, ngrohtësi, besim, edukatë dhe qëndrim dashamirës e mirëkuptues.
Të gjithëve na kujtohen mësueset apo mësuesit e parë. Dhe nuk ka asnjë prej nesh që nuk ndien mirënjohje të pakufijshme për ta, pavarësisht nëse e kanë kryer apo jo misionin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndaj them se kjo mirënjohje e përjetshme, obligon.
Brezi im e ka filluar klasën e parë para gati gjysmë shekulli. Kanë qenë kohë të tjera, marrëdhënie krejt të tjera ndërmjet fëmijëve, prindërve e mësimdhënësve. Sot fëmijët kanë privilegjin të kenë kujdesin e të rriturve dukshëm më të madh se atëherë, marrëdhënie pakrahasueshëm më të lira dhe më bashkëpunuese me mësuesit e me prindërit dhe kushte pakrahasueshëm më të mira për mësim e lojë”, u shpreh Svarqa.
Ai me këtë rast tha se pushteti lokal, ashtu si edhe Qeveria e Kosovës, e kemi ndër prioritetet kryesore krijimin e kushteve sa më të mira për mësim e studim të fëmijëve e të rinjve tanë.
Ndërkaq këshilltari i lartë i ministrit të arsimit, Osman Belushkaj, ka vlerësuar tejet lartë rolin e festës së abetarës.
Të pranishmit me një fjalë rasti i ka përshendetur edhe përfaqësuesja nga qyteti i Kukësit Teuta Selmani. Ajo tha se ndihet mjaft mirë që gjendet në qytetin e Ferizajt, për të kremtuar të gjithë së bashku festën e abetarës.
Të pranishmit patën rastin që të ndjekin edhe një program të pasur kulturo-artistik.
Organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Drejtoria komunale e arsimit në Ferizaj, këtë të dielë është mbajtur festa tradcionale e abetarës e cila mbahet për herë të parë në këtë qytet.