
“Unë do të mbjell sivjet një hektarë e gjysmë me misër. Sot mora një thes farë, që sipas njohësve të kësaj fushe do ta mbjell një hektarë, ndërsa pjesën tjetër do ta blej vet, farën e misrit. Po ç’të them nuk është se ka shumë llogari me mbjell, por tokat s’po dojna me i lënë thatë, bile diçka të punojmë”, tha fermeri Halim Ramadani.
U bë e ditur se komuna ka ndarë sivjet rreth 25 mijë euro, ku nga kjo shumë përfituan më shumë se 900 qytetarë të Ferizajt.
Drejtori i Bujqësisë, Xhemajl Reqica tha se krahasur me vitin e kaluar numri i përfituesve këtë vit ka qenë shumë më i madh.
“Vitin e kaluar kemi pasur 500 hektarë që i kemi shpërndarë, ndërsa sivjet janë 963 fermerë që kanë kërkuar të marrin subvencion të kësaj kulture. Do të thotë me kulturën e misrit është rritur numri më tepër se 80 përqind. Vlera e subvencionit është 25 mijë euro. Ne po japim një thes për një hektar, ndërsa pjesën tjetër që i’u duhet, fermerët e paguajnë vet. Afati për mbjellje është optimal, besoj që brenda javës të gjithë do ta mbjellin këtë kulturë pasi që kushtet klimatike janë shumë të përshtatshme. Sivjet e kemi ndërruar edhe rendimentin, që sipas ekspertëve është i kualitetit shumë të lartë”, tha Xhemajl Reqica.
U tha se komuna e Ferizajt, pas disa muajsh do të shpërndajnë edhe subvencionet në sektorit blegtoral.
Komuna e Ferizajt edhe këtë vit ka furnizuar me farë misri fermerët ferizajas.