Kreu i Ferizajt, Agim Aliu duke i uruar të gjithë qytetarët e Ferizajt për festat e fundvitit, ka thënë se këtë vit po e përmbyllin me mbarësi e të arritura.
“Le të jenë këto drita ,që ndriçojnë shpirtin dhe zemrën e të gjithë neve,duke sjellë lumturi dhe harmoni për të gjithë qytetarët. Ne tashmë po e përmbyllim një vit plot suksese,të arritura këto ,të realizuara në favor të qytetarëve të komunës sonë”, është shprehur Aliu.
Nga ana tjetër qytetarët ferizajas, janë të kënaqur me zbukurimet të cilat janë bërë në qytetin e Ferizajt. “Vërtetë zbukurimi i qytetit është bërë bukur edhe në qytetin tonë. Përfundimisht është bërë një gjë shumë e mirë dhe po shihet që është një atmosferë tamam festive, me rastin e festave të fundvitit”, është shprehur Arbër Hasani, qytetarë i Ferizajt.
Të njëjtin mendim sa i përket qytetit të Ferizajt, e ka edhe Labinot Lika, i cili thotë se qyteti Ferizajt, është zbukuruar si asnjëherë më parë.
Bredhi i cili vendoset në sheshin e Ferizajt çdo vit, gjithherë është ndriçuar për nderim të festave të fundvitit, që të gjithë qytetarët të festojnë në harmoni e lumturi. Veç kësaj janë dekoruar shumë pjesë të qytetit.
Në sheshin e qytetit “Adem Jashari” në Ferizaj, u ndezën dritat e Vitit të Ri në bredhin e madh të vendosur aty për festat e fundvitit. Dritat solemnisht i kanë ndezur Kryetari i Komunës së Ferizajt,Agim Aliu me bashkëpunëtorë të tij komunalë.