Kryetari i Komunës Muharrem Svarqa, ishte ftuar që së bashku me dy komuna të tjera, të flasë për praktikat më të mira komunale, në punëtorinë e Asociacionit të Komunave të Kosovës, si pjesë e projektit “Skema BEACON”, mbështetur nga organizata gjermane GIZ.
Duke folur në këtë fushë, kryetari Svarqa tha se Komuna e Ferizajt ka bërë punë të mira në ndriçimin e hapësirave publike, duke e zgjeruar rrjetin e ndriçimit në qytet dhe në fshatra, duke bërë ekonomizimin e shpenzimeve të ndriçimit publik përmes zëvendësimit të poçave klasikë me poça efiçentë, duke e zëvendësuar pjesërisht ndriçimin publik të rrugëve nga energjia elektrike, me energji diellore etj.
“Në këtë mënyrë Komuna e Ferizajt ka arritur të sigurojë ndriçim më efikas për banorët e vet, të kursejë energjinë e shpenzuar, të fusë në përdorim arritjet më të reja energjetike dhe rrjedhimisht të zvogëlojë emitimin e dyoksidit të karbonit”, theksoi kryetari Ferizajt.
Ai theksoi mbështetjen e gjerë të organizatave të njohura ndërkombëtare, siç janë Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe organizata gjermane GIZ në këtë drejtim. Vlera e investimeve të përbashkëta me këto dy organizata për ndriçimin publik është rreth 350 mijë euro.
Kryetari Svarqa vuri në dukje se hapësirat e ndriçimit publik janë rritur ndjeshëm viteve të fundit, ndërkohë që buxheti për shpenzimet dhe mirëmbajtjen e ndriçimit, ashtu si edhe shërbimeve të tjera publik, nuk është rritur. Kështu që Komuna është vënë në vështirësi për të paguar borxhet ndaj kompanive publike për ujin, kanalizimin, mbeturinat, energjinë e shpenzuar elektrike etj.
“Në këtë aspekt kemi nevojë që në të ardhmen të rrisim komunalitë dhe fondet e shërbimeve publike. Sepse nuk mund të jenë të njëjtat fonde sot me ato të para disa viteve, kur dihet se është shtuar numri i objekteve shkollore, po shtohet numri i çerdheve dhe përgjithësisht i objekteve publike, ndërkohë që Komuna vepron me të njëjtat fonde si para disa viteve.
Gjithashtu ka kërkesa në rritje për mirëmbajtjen e rrugëve, parkingjeve, hapësirave të gjelbëruara etj. Ne në Ferizaj gjatë këtyre dy viteve e kemi rritur dukshëm sipërfaqen e hapësirave të gjelbra, por nuk kemi mundur t’i mirëmbajmë si duhet ato hapësira, kështu që ato janë degraduar dhe e kanë humbur funksionin që do ta kishin pasur sikur të mirëmbaheshin si duhet. Prandaj këto çështje do t’i diskutojmë me Qeverinë e Kosovës, por edhe me organizatat të cilat na kanë mbështetur deri tash, në mënyrë që t’u gjejmë zgjidhje edhe sfidave që i kemi përpara, në mënyrë që qytetarët e Ferizajt të kenë shërbime më cilësore”, tha Svarqa.
Në mesin e komunave të Kosovës, për praktika të mira në shërbimet publike, janë përzgjedhur edhe komuna e Gjilanit dhe ajo e Gjakovës.
Komuna e Ferizajt u tregoi sot komunave të tjera të Kosovës përvojat e veta pozitive të shërbimeve publike.