Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me Qendrën për Studime të Avancuara (FIT) shënuan në Ferizaj, Ditën e Fëmijëve.
Me mesazhe, thënie, piktura e vizatime të ndryshme, shkollarët dhanë mesazhin e tyre për këtë ditë, duke thirrur në ndërgjegjen shoqërore për ndalimin e abuzimit me fëmijët.
Kjo ngjarje u shënua në kuadër të projektit “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës – TACA”, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR). Projekti “Së bashku Kundër Abuzimit të Fëmijës” është mbikqyrur nga Koordinatorja e projektit, znj. Ardita Kabashi në bashkëpunim me koordinatorin e Terrenit për Ferizaj, z. Arben Aliu me përkrahjen edhe të Komunës së Ferizajt. Përveç nxënësve kontributin e dhanë mësimdhënësit dhe psikologët e shkollave.
Aktiviteti për të shënuar 1 Qershorin- Ditën e Fëmijëve ka përfshirë të gjitha shkollat e Komunës së Ferizajt, ku fëmijët kanë shfaqur idetë e tyre përmes vizatimeve dhe shkrimeve letrare.
Gjithashtu në një kënd të sheshit të Ferizajt është bërë një mural me tematikë kundër abuzimit të fëmijëve, ku përveç piktores me profesionalizmin e saj, ndihmuan edhe dhjetëra nxënës në bërjen e muralit.