Sheshi i Ferizajt mbrëmë u shndërrua në një skenë të madhe ndërkombëtare, ku u mbajt Festivali Ndërkombëtar “N’Karadak Krisin Tupanat”. Kjo ngjarje festive solli atmosferë të jashtëzakonshme me vallëzime, tinguj tradicionalë dhe ngjyra nga vende të ndryshme të botës.
Festivali është pjesë e aktiviteteve “Ditët e Mërgatës”, të organizuara nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, si shenjë e përkushtimit për promovimin e kulturës dhe përfshirjes së diasporës në jetën kulturore të qytetit.
Parada shumëngjyrëshe e kulturave nisi në sheshin qendror dhe kulmoi me koncertin festiv ku përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse prezantuan traditat e tyre muzikore dhe koreografike. Publiku ferizajas i mirëpriti me duartrokitje e entuziazëm.
Në këtë edicion morën pjesë grupe artistike nga Spanja, Brazili, Bullgaria, Meksika, Turqia, Italia, Qiproja Veriore, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.
“Ditët e Mërgatës” do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me koloni artistike dhe aktivitete të ndryshme kulturore deri më 13 gusht.