
Me këtë rast kryetari Xhemaili, ka thënë se ka hasur në mirëkuptim nga ana e biznesmenëve ferizajas që t’a ndihmojnë Shkodër. “Menjëherë kanë formuar komisionin prej 7 anëtarësh. Më vjen shumë mirë që menjëherë ka pasur efekt thirrja ime që u është bërë. Besoj që ferizajasit, siç kanë qenë gjithmonë zemër gjerë edhe kësaj here do t’a ndihmojnë Shkodër por edhe sa herë që do të jetë nevoja”, ka thënë Xhemaili, duke bërë të ditur se edhe vet Komuna e Ferizajt, ka një plan të saj, që t’a ndihmon Shkodrën, sikurse edhe herëve të kaluara.
Nga ana tjetër edhe Zymer Syla, nga komisioni “Ferizaj ndihmon Shkodrën”, ka thënë se me të nisur aksioni, firma “Ben-af”, menjëherë ka startuar me një vlerë prej 2 mijë e 800 eurove. “Do ta zgjerojmë këtë aksion edhe nëpër biznese të tjera, por do t’a përhapim edhe nëpër fshatra. Kush ka vullnet të mirë të ndihmojë, do të jetë shumë i mirëseardhur. Janë lajmëruar edhe shumë biznese të tjera, por i pari ka startuar ‘Ben-af’”, ka thënë Syla, duke bërë të ditur se këto ndihma do të jenë me veshmbathje dhe ushqime, ndërsa transportin e këtyre ndihmave me kamion për në Shkodër do ta bëjë ndërmarrja “Nderimi”
Ditë më parë Komuna e Ferizajt, kishte nisur një kontingjent të ndihmave më ushqim për kafshët drejt Shkodrës. Ndërsa është zotuar se do të siguroj edhe derivatet për transportin e ndihmave në sasi prej 250 litrave, për të siguruar njëherësh edhe sasi të reja të ushqimit për kafshët U bë e ditur se aksioni “Ferizaj ndihmon Shkodrën”, do të zgjasë 1 javë
Në sheshin e qytetit “Adem Jashari”, të Ferizajt, të martën filloi vendosja e kamionëve për grumbullimin e ndihmave që do t’i dedikohen zonave të përmbytura të Shkodrës.