Komuna e Ferizajt do të investojë mjetet e grandit të fituara nga USAID-i dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal prej 45 mijë dollarësh, në instalimin e kontejnerëve nëntokësorë në zonën urbane të qytetit. Ky projekt synon të zgjidh problemet e qytetarëve me mbeturinat dhe krijimin e një mjedisi më të pastër jetësor.
"Është fjala për një projekt shumë të mirë dhe të qëlluar por edhe atraktiv për Komunën e Ferizajt, për arsye se mbeturinat do të grumbullohen në një vend dhe nuk do të ketë kundërmim as rrjedhje të ujërave të fundërruar, siç ka ndodhë me kontejnerët klasik" ka thënë drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Ibrahim Hyseni.
Këta kontejnerë, sipas zyrtarëve do të mund të zëvendësojnë prej 3-5 kontejnerë prej 1.1 metër kub dhe këtu shihet përparësia e tyre. Merret vesh se aktualisht nëpër shumë vende perëndimore janë duke u instaluar këta kontejnerë, ndaj i tërë projekti thuhet të jetë në përputhje me standardet e Bashkimi Evropian.
"Jemi në kontakt me prodhuesin e këtyre kontejnerëve dhe jemi të njoftuar me format e realizimit të punëve dhe përdorimit të tyre. Nuk kërkojnë ndonjë specifikë të veçantë të automjeteve për shkarkimin e tyre. E vetmja formë e modifikimit të automjeteve është të vendoset pas tyre një vinç, i cili do të shërbej për nxjerrjen e kontejnerit nga pjesa nëntokësore për ta shkarkuar dhe për ta rivendos përsëri ne vendin e vet. Një punë që do të zgjas jo më shumë se 2 minuta" ka thënë drejtori Hyseni.
Zyrtarët kanë thënë se këto mjete nuk do të mjaftojnë për këtë projekt, ndërsa mendojnë që për realizimin e tij, një pjesë ta destinojnë nga buxheti i komunës dhe nga një fond i MAPL-së.
"Jemi takuar me zyrtarë të USAID-it dhe MAPL-së, bashkë me kryetarin e komunës dhe është biseduar për investimin e mjeteve nga ky grand. Na janë premtuar mjete edhe nga MAPL-ja dhe besojnë që nga java e ardhshme do të startojmë me rrugën kryesore të qytetit" ka thënë drejtori Hyseni, për të shtuar se ky projekt është ambientalist dhe ka të bëjë me menaxhimin më efikas të mbeturinave.
Sipas zyrtarëve, dalëngadalë do të vie deri tek menaxhimi më i mirë i mbeturinave, një problem që është i theksuar në shkallë vendi. Besohet se me këtë edhe do të vie deri tek rritja e vetëdijes së qytetarëve për të pasur një mjedis më të shëndoshë dhe më të pastër.
Qendra e qytetit të Ferizajt, do të ketë edhe kontejnerë nëntokësorë.