Në ambientet e Kuvendit të Komunës, sot u mbajt takimi mes Nënkryetarit të Komunës, Lulzim Aliu, drejtorit të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, Kemajl Emini, drejtores së Qendrës për Punë Sociale, Adelina Rexhepi Braha, drejtores ekzekutive të OFAP-it, Ibadete Krasniqi me familjet strehuese në Komunën e Ferizajt.
Në këtë takim u bë e ditur se Komuna e Ferizajt në nivel republikan, është e para me numrin më të madh të familjeve strehuese gjersa kjo do të avancohet tutje edhe me marrëveshjen që do të nënshkruhet nga Komuna me organizatën OFAP me qëllim të mbështetjes për fëmijët në nevojë në partneritet me QPS-në dhe DShMS-në.
Nënkryetari i Komunës Lulzim Aliu theksoi se Komuna ka ofruar e po ofron mbështetje për familjet strehuese gjersa kjo mbështetje do të vazhdoj edhe në kuadër të programeve që ka Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Drejtori i DShMS-së, Kemajl Emini duke theksuar gatishmërinë për mbështetje për fëmijet në familjet strehuese tha se DShMS ka përfshirë në skemat e saj mbështetëse këto familje, ashtu që me mundësitë buxhetore të mbështeten këto familje.


