Komuna e Ferizajt bashkë me komunën e Shtimes kanë nisur një projekt ku do të duhej të plotësohen kritere dhe qasje të ndryshme të pastërtisë për të fituar një çmim në vlerë monetare por edhe për të krijuar ambiente sa më të pastërta. Nënkryetari i komunës së Ferizajt Xhavit Zariqi së bashku me partnerët e tjerë kanë mbajtur sot një takim për të përcaktuar detyra dhe angazhime fillestare për këtë garë. U bë e ditur se edhe sfidat nuk do të jenë të lehta për të implementuar këtë proces por me një mobilizim më të mirë synohet arritja e rezultateve.
Komuna e Ferizajt për këtë proces ka angazhuar edhe një ekspert gjerman së bashku edhe me organizatën gjermane GIZ. Ai sqaroi se do të jap këshillat më të mira të mundshme për t’u krijuar ambiente të pastërta si dhe për t’u krijuar tradita në këtë fushë.
Ndërkaq drejtues të kompanisë "Pastërtia" shpjeguan se si kriter prioritar është eliminimi i deponive të mëdha ilegale por edhe pastrimi i përgjithshëm ku kërkohet edhe bashkëpunimi me qytetarët.
Pjesë e garës për mjedis të pastërt janë gjithsejtë 16 komuna nga e gjithë Kosova ku janë planifikuar të jepen 3. 4 milionë euro. Secila komunë do të shpërblehet në bazë të vlerësimeve që do të marrë nga ekspertët gjerman për mjedis. E kjo pritet të ndodhë në fillim të vitit 2017.
Nga një bashkëpunim me GIZ-in gjerman pretendohet të fitohen fillimisht rreth 600 mijë euro.