Të tillë e bën me punën e tyre, personalitete të shumta, që pa kursim, dhanë nga vetja më të mirën, në pasionet e profesionet e tyre. I tillë është edhe ferizajasi i veçantë, pioneri i plejadës së artë të futbollit ferizajas, specialisti i makinerisë dhe mirëmbajtjes së binarëve, pronari i të veçantës tavernë “Puzhi”, ku gjen gjithësecili rehatinë e mirëpritjen, Blerim Beqa – Puzhi.
I rritur në një familje me vlera kombëtare, duke qenë i biri i ish Kryetarit të Komunës, drejtorit e veprimtarit Zenun Beqa, Blerimi u shkollua në shkollimin e mesëm në drejtimin e elektros në Shkollën Teknike, gjersa vijoi studimet si bursist i Hekurudhave në shkollën e lartë hekurudhore në degën Elektro dhe Telekomunikacion në Beograd më 1979, për të specializuar në servisimin e makinave dhe mirëmbajtjen e binarëve në mënyrë mekanike në Linz të Austrisë.
Përveç shkollimit, pas së cilit më 1982 u punësua në Hekurudhat e Kosovës në njësinë e mirëmbajtjes teknike të hekurudhave, Blerimi kultivoi që në rininë e hershme pasionin për futbollin, duke qenë pioner i KF “Borci”-t e më pas si junior dhe pjesë e ekipit të parë të klubit më 1977-’78, ku u shqua për lojën e veçantë, talentin, zhdërvjelltësinë që e bëri të veçantë e të papërsëritshme vlerat e tij në fushën e blertë të futbollit ferizajas.
Më 2009, me djersën e vizionin përparimtar në biznes, i dha Ferizajt, të parën tavernë, me një ambient të rrallë, shije të paharrueshme ushqimesh, mirëpritje shembullore, që e bëjnë tavernën që mban nofkën e tij “Puzhi”, një konak të mikpritjes e ndër më të veçantën e gastronomisë jo vetëm ferizajase por edhe më gjerë, vlera këto njerëzore e profesionale, të çmuara gjerësisht.