Komuna e Ferizajt dhe Lozana në një të ardhme të afërt do të bashkëpunojnë në sferën e bibliotekave. Kjo u tha nga takimi që zhvilloi i pari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa me delegacionin nga Lozana e Zvicrrës. Me këtë rast kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se e veçanta e këtij takimi ishte gatishmëria e treguar e këtij delegacioni për të bashkëpnuar në këtë fushë shumë të rëndësishme për qytetin tonë.
“U arrit një pajtueshmëri që biblioteka e Ferizajt, të furnizohet me libra nga Zvicra, dhe po ashtu u shpreh gatishmëria e tyre, që për nevoja të bibliotekave të Lozanës dhe të Institutit të Kulturës, që është themelu nga mërgimtarët tanë në Lozanë, të furnizohen edhe ata për nevoja të leximit në gjuhën shqipe, një donacion të cilin vet e kanë nda dhe janë të gatshëm që t’i blejmë dhe t’i furnizojnë bibliotekat e tyre atje”, ka thënë Svarqa, duke theksuar faktin se komunë si mbetet që t’i ndihmojë për t’i gjetur shtëpitë botuese dhe shpërndarësit e librave.
Në këtë takim, po ashtu është biseduar edhe për sferën e arsimit, ku do të ketë edhe shkëmbim të përvojvae dhe mësimeve nga dy vende të ndryshme.
“Do të bashkëpunojmë edhe në fushën e shëndetësisë, por edhe në lëmin e kulturës dhe tetarit duke pasur parasysh gatishmërinë e tyre, për të investuar edhe në infrastrukturën e teatrit, por që konkretisht është arrit që bashkëpunimi të fillojë më sferën e bibliotekave”, ka përfunduar Svarqa.
Oskar Tosato, drejtor i departamentit të arsimit primar dhe sekondar si dhe Gregoire Junod, drejtor I departamentit të sigurisë publike, urbanizmit dhe çështjeve të kulturës kanë shpreh gatishmërinë e tyre për të vendosur një bashkëpunim të thellë në mes të dy qyteteve.
“Ne në Lozanë kemi ndarë një objekt për Institutin kulturor të shqiptarëve, për të zhvilluar dhe ruajtur identitetin e tyre nëpërmjet kultivimit të gjuhës muzikës etj, andaj kemi dëshirë që edhe këtu të ndihmojmë pasurimin e bibliotekës me libra nga kultura e jonë, si dhe marrjen e librave që do të mund t’i përdornin diaspora e juaj atje”, u shpreh Tosato.
Gjatë këtij takimi u hapën shumë mundësi bashkëpunimi duke filluar që nga digjitalizimi I bibliotekave, pasurimi I tyre e deri tek shkëmbimi i kuadrove të arsimit si dhe u fol për mundësinë e formimit të një gjimnazi në gjuhën frënge.
Mysafirët zviceranë u takuan edhe me disa drejtorë të drejtorive të komunës së Ferizajt dhe folën hollësisht për formate bashkëpunimit.
Mysafirët zviceranë vizituan edhe Bibliotekën “Sadik Tafarshiku” në Ferziaj.
Këtë të premte numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa më bashkëpunëtorët e tij ka pritur një delegacion nga qyteti i Lozanës së Zvicrës të kryesuar nga Oskar Tosato- drejtor i departamentit të arsimit primar dhe sekondarë, të rinjve dhe çështjeve shëndetësore si dhe deputet parlamentin e Kantonit Vaud si dhe Gregorie Junod, drejtor i departamentit të sigurisë publike, urbanizimit dhe çështjeve të kulturës.