
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, e quajti një fat të mirë faktin që edhe komuna e Ferizajt është përzgjedhur për të qenë pjesë e projektit për promovimin e punësimit të të rinjve. Pasi paraqiti një pasqyrë të strukturës së të papunëve në Ferizaj e rrethinë, kryetari Svarqa tha se afro 70 për qind e të papunëve, janë të moshës nën 30- vjeç.
“Prandaj, Komuna e Ferizajt shpreh gatishmërinë e plotë për të marrë përsipër obligimet që dalin nga marrëveshja për promovimin e punësimit të të rinjve, duke bashkërenduar aktivitetet në mes të strukturave të rinisë dhe punësimit, si dhe departamentet përkatëse brenda Komunës; zotohet për të zbatuar masat e përzgjedhura për promovimin e punësimit të rinisë nga ky projekt dhe akterëve të tjerë të përfshirë në të; të bashkëpunojë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta për mobilizimin dhe angazhimin e rinisë; të japë kontributin e vet për zbatimin e suksesshëm të aktiviteteve të projektit në nivel lokal përmes përkrahjes teknike të procesit; të takohet në baza të rregullta me GIZ-in, për të shqyrtuar përparimin e zbatimit të marrëveshjes; të zhvillojë strategji afatshkurtra dhe afatgjata për një projekt potencial pas finalizimit të pilot-projektit, ku do të përfshiheshin analizat e përbashkëta për praktikat më të mira në mes GIZ-it dhe Komunës; të bashkëpunojë në bashkërendimin e aktiviteteve për informimin e publikut rreth projektit dhe rreth fushatave të informimit”, theksoi kryetari i Ferizajt.
Ky projekt u pa edhe më i rëndësishëm, pasi ndodh në kohën kur një pjesë e madhe e të rinjve, shikojnë mundësitë për të dalë jashtë vendit, për të kërkuar punë dhe kushte jetese.
Komuna e Ferizajt u zotua se do të angazhojë të gjitha mundësitë e veta për të qenë partner serioz dhe t’i kryejë të gjitha obligimet për realizimin e këtij projekti.
Pjesë e këtij projketi janë edhe komuna e Gjakovës dhe e Vushtrrisë.
Kryetari Svarqa nënshkroi marrëveshje me organizatën gjermane për bashkëpunim GIZ, për projektin punësimi dhe promovimi i të rinjëve në Kosovë.