Kjo qendër e cila do të funksionoi në objektin e QKMF-së numër 1, i është dhënë palës indiane me një procedurë të ankandit publik, ndërsa vlera mujore e qeras do të jetë afro 3 mijë euro.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, i pari i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Burim Karameta, ka bërë të ditur se brenda periudhës dy mujore do të filloj së funksionuari kjo qendër, e cila për qytetarët tanë. sipas tij, ka qenë nevojë imediate kur dihet se për trajtimin e sëmundjeve të syrit, qytetarë kanë udhëtuar edhe jashtë shtetit.
"Pas dy muajve të gjitha trajtimet do të kryhen në këtë qendër nga stafi profesional duke filluar nga kontrollat, trajtimet, por edhe intervenimet operative të cilat rrallë herë bëhen këtu. Marrëveshja i ka specifikuar të gjitha gjërat, do të kemi lehtësira për pacientet tanë në kontrolla, përfshirë edhe kategoritë e rrezikuara të cilat janë të liruara nga participimi i shërbimeve, por edhe intervenimet të cilat janë bërë jashtë Kosovës do të bëhen këtu me një kosto të ulët", ka thënë Karameta, teksa ka shtuar se ky program i kësaj qendre do të përkrahet financiarisht edhe nga ndonjë organizatë e huaj me qëllim të marrjes së shërbimeve me çmime më të ulëta në këtë qendër.
"Ne jemi në pritje të ardhjes së aparaturës së fjalës së fundit dhe pritet fillimi i marrjes së shërbimeve në këtë qendër", ka thënë Karameta.
Në anën tjetër, kryetari i Odes Ekonomike Indiano-Kosovare, Anil Mishra, ka vë në dukje se pala indiane vije në Ferizaj me një spital me renome botërore i cili do të ketë një ndikim në gjithë regjionin ballkanik. Madje, ai ka shtuar se bëhet fjalë për një pilot projekt dhe nëse çdo gjë shkon sipas planit, sipas tij do të ngritet një spital me kapacitete edhe më të mëdha.
" Gjatë gjithë procesit të bërjes së këtij spitali këtu kam pasur një bashkëpunim të mirë me drejtuesit e pushtetit komunal. Kemi edhe shumë plane të tjera që kanë të bëjnë me OEIK dhe ky spital është vetëm fillimi. Do të dëshiroj që të jemi të suksesshëm, duke punuar me Ferizajn, dua të paralajmëroj edhe diçka se kemi një program special që do t’iu ndihmoj njerëzve që nuk kanë mundësi të bëjnë pagesën për trajtimin e syrit, ne u japin konsultime falas dhe këtë ne e quajmë si ndihmesë për njerëzit që janë në nivelin e varfërisë", ka thënë Mishra.
Ndryshe, pala indiane ka thënë se me komunën e Ferizajt synojnë të jetësojnë një bashkëpunim afatgjatë në lëmin e shëndetësisë edhe atë përmes partneriteti publiko-privat. Mësohet se në këtë qendër nuk do të ketë duplifikim të shërbimeve dhe se kjo qendër do t’i kryej ato shërbime që tek ne nuk kryhen. Drejtori i Shëndetësisë, Burim Karameta, ka thënë se kjo qendër nuk e rrezikon asnjë subjekt qoftë privat apo publik."Nuk do të ketë duplifikim të shërbimeve por vetëm trajtimin e sëmundjeve për të cilat qytetarët kanë pritur gjatë dhe i kanë kryer në të shumtën jashtë shtetit apo në ordinancat private. Ne mendojmë se krahas kostos më të ulët të shërbimeve qytetarët do t’i eliminojnë edhe pritjet dhe udhëtimet jashtë vendit", ka thënë Karameta.
Gjithashtu u bë e ditur se dhënia me qera e hapësirës së kësaj qendre nuk i ka rrezikuar shërbimet primare ngase në atë objekt sipas zyrtarëve shëndetësor ka hapësira të mjaftueshme edhe për shërbimet primare shëndetësore.
Komuna e Ferizajt ka nënshkruar të martën një marrëveshje bashkëpunimi me Oden Ekonomike Indiano-Kosovare, në bazë të së cilës Spitali Ndërkombëtar Indian i Syrit do të hapet në Ferizaj.