Shumë shpejt qendra e qytetit të Ferizajt, do të ketë një pamje krejtësisht tjetër nga ajo e cila ka qenë deri më tash. Qendra e qytetit do të bëhet një bulevard për qytetarët ferizajas, pas nënshkrimit të kontratës që ka bërë këtë të enjte Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu me operatorin ekonomik “Eskavatori”, për rregullimin e qendrës së qytetit.
U tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm pas projektit të rrugës “Rexhep Bislimi”, për të dëshmuar edhe një herë se Ferizaj tashmë ka hyrë në fazën e projekteve të mëdha, projekte këto që do të shërbejnë për qytetarët ferizajas.
“Qendra e qytetit do të jetë shëtitore për qytetarët, do të dëshmojë rëndësinë se ne jemi të përkushtuar dhe ambicioz që të realizojmë projekte të tilla të cilat kanë qenë synim i qytetarëve, pra projekti i bulevardit të qytetit të Ferizajt, ka qenë një projekt shumë i nevojshëm për ta bërë ashtu siç kemi premtuar për Ferizajn Evropian”, ka nënvizuar Kryetari Aliu, duke theksuar faktin se Ferizaj, do të jetë më ndryshe sepse qytete evropiane i kanë bulevardet e tyre dhe kanë shëtitore të tilla.
“ Pikërisht edhe qytetarët ferizajas do ta kenë mundësin që ta kenë bulevardin e tyre dhe praktikisht të shëtisin në qendrën e qytetit të Ferizajt. Është kjo vetëm faza e parë e ndërtimit të bulevardit të qytetit, sepse ju e dini se ne do të vazhdojmë edhe me fazat tjera, të ndërtimit të sheshit “Adem Jasharit” dhe me daljen edhe nga pjesa e rrugës “Ahmet Kaqiku” respektivisht tek shkolla “Gjon Serreçi” për të kompletuar këtë projekt gjigant të qytetit të Ferizajt gjithmonë në shërbim të interesave të qytetarëve të Ferizajt”, tha Aliu.
Kryetari i Komunës së Ferizaj, Agim Aliu, ka thënë se ndihet mirë edhe më nënshkrimin e kontratës që ka bërë me operatorin ekonomik “Eskavatori”, për të theksuar se kjo kompani është e dëshmuar edhe në tregun ndërkombëtar.
Ndërsa Aziz Rysha pronarë i kompanisë “Eskavatori”, ka thënë se do të jenë të përkushtuar që të punojnë me një efikasitet të madh në realizimin e këtij projekt gjigant për Komunën e Ferizajt.
“Falënderojmë Komunën e Ferizajt për besimin e dhënë që kompania jonë të kryej këtë projekt shumë të rëndësishëm. Ne do të bëjmë maksimalizimin e dinamikës së punimeve, sepse kjo do të jetë në interes të qytetarëve, por edhe të bizneseve që gjenden në qendrën e qytetit” është shprehur Rysha.
Kontrata e nënshkruar mes Komunës së Ferizajt dhe operatorit ekonomik” Eskavatori” kap shumën prej 1 milion 41 mijë e 363 euro.
Projekti i bulevardit të qytetit është duke u zhvilluar në kuadër të implementimit të planit rregullues të qendrës së qytetit, i cili plan parasheh mbylljen e rrugës kryesore për qarkullimin e automjeteve duke ofruar hapësirë të lire për qarkullimin e këmbësorëve, ambient për pushim dhe aktivitete për qytetarët. Synimi i Komunës është që ta urbanizojmë qytetin duke ofruar hapësira sa më të përshtatshme dhe të sigurta për qytetarët.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, këtë të mërkurë, ka nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik”Eskavatori”për rregullimin e qendrës së qytetit nga hoteli “Lybeten” e deri tek sheshi “Hyrë Emini”.