Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyçi, këtë të mërkurë ka mbledhur anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa, për diskutuar pikat e rendit të ditës që janë përgatitur për diskutim.
Drejtorja e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, para anëtarëve të KPF-së ka bërë propozim-vendimi për harmonizimin e investimeve kapitale dhe transferin në kategorinë ekonomike dhe shpenzimet kapitale.
Ndërkaq nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, ka bërë propozim-vendimin për shpërndarjen e druve të zjarrit për familjet skamnore. Sipas tij është një sasi prej 200 metrave hapësinor të cilat janë konfiskuar nga Drejtoria e Bujqësisë-Njësia e Pylltarisë në Ferizaj.
Për mbledhjen e Kuvendit të Komunës, drejtorja e Administratës së Përgjithshme Aurora Ramadani, ka përgatitur edhe dy propozim-vendime, atë të Kodit të Etikës si dhe Rregulloren për organizimi, funksionimi dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në Komunën e Ferizajt.
Në këtë mbledhje kaloi edhe propozim-vendimi për aprovimin e Rregullores për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijëve.
U diskutuan edhe disa propozim-vendime për rishqyrtim, nga ana e drejtorit të Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli.
Në këtë mbledhje drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, ka propozuar edhe formimin e komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës. Në këtë komision do të jenë dy anëtarët të propozuar nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu, dy anëtarë nga Kuvendi i Komunës nga radhët e subjekteve të ndryshme politike si dhe një anëtarë nga sektori jo qeveritar lokal.
U vendosën edhe tri pika shtesë në këtë mbledhje, drejtori i Urbanizmit, propozoi pwr për miratim Rregulloren për këmbimin e pasurisë së paluajtshme të komunës përmes ndërtimit dhe përdorimit të bonusit, propozim-vendimi për zëvendësimin e një anëtari nga komiteti për kategoritë e dala nga lufta e UCK-së si dhe propozim-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm të pjesës së ngastrës kadastarle 1781-0 zona kadastrale në Pleshinë.
Mbledhja e Kuvendit të Komunës do të mbahet me datën 23 nëntor në orën 10:00 në teatrin e qytetit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj.