Banorët e fshatit Varosh i janë gëzuar pa masë asfaltimit të rrugës së tyre. Ata janë shprehur mirënjohës ndaj komunës së Ferizajt, për këtë projekt i cili është shumë i rëndësishëm për shkak të problemeve që kanë pasur më parë.
“Jemi shumë të kënaqur që është bërë asfaltimi i kësaj rruge, për shkak se kohë të gjatë ka qenë e pa asfaltuar”, është shprehur Nazmi Heta, banorë i fshatit Varosh.
Për të parë nga afër asfaltimin e kësaj rruge doli edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa së bashku me drejtorin e Infrastrukturës Gafurr Ilazin dhe drejtoreshën e Financave Lirije Sylën.
“Ky është vetëm një nga investimet më të vogla që janë duke ndodhur tash për tash, por duke shikuar infrastrukturën e fshatit Varosh kemi të bëjmë me një infrastrukturë të rregulluar e cila po ju shtohet edhe kjo rrugë. Unë jam shumë i sigurt se në të ardhmen edhe të gjitha vendbanimet tjera të komunës, duke përfshirë edhe qytetin do të asfaltohen rrugë dhe rrugica të ndryshme, sepse në procedurë të tenderimit janë edhe një varg rrugësh të tjera”, ka thënë Svarqa.
I pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa ka bërë të ditur se mbikëqyrja e të gjitha projekteve do të jetë shumë më e madhe.
“Ne kemi shtuar të gjitha mundësitë e mbikëqyrjes sa me racionale që të ka të bëjë me kualitetin e punimeve, për shkak se konkurrenca, shpesh here ka bërë që të zbres kualiteti i punimeve dhe ne do të punojmë që kjo mos të ndodh. Ne kemi angazhuar edhe stafin e brendshëm duke angazhuar menaxhmentin i cili është i përgatitur profesionalisht dhe të gjitha kompanitë tjera mbikëqyrëse me të cilat ne kemi një komunikim, jo vetëm me gojë, por edhe me letra, për shkak se vetëm ditëve të fundit ne kemi dërguar edhe një numër të vërejtjeve për shkak të mungesës së mbikëqyrjes që ka të bëjë me projektin që po realizohet në shkollën e fshatit Greme , për shkak se gjatë një vizitë rutinore unë kam vërejtur një pjesë të gypave të përdorur të cilat janë gjetur në korridorin e asaj shkolle dhe natyrisht kemi dhënë vërejtje, natyrisht edhe për mbikëqyrësit tanë, por edhe për mbikqyrësat e kompanisë e cila është e kontraktuar për realizimin e këtij projekti”, është shprehur Svarqa.
U bë e ditur se rruga e asfaltuar sot në fshatin Varosh është e gjatë rreth 500 metra dhe ka kushtuar mbi 37 mijë euro, rrugë kjo e cila është rregulluar edhe me participim të qytetarëve.
Këtë të martë në fshatin Varosh, është bërë edhe asfaltimi i një rruge të re, e cila është e një rëndësie shumë të madhe për banorët e këtij fshati.