Për herë të katërt me radhë, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili organizohet kampingu veror “Jezerci 2010”. Kamping i cili për dallim nga vitet e tjera këtë vit ka marrë karakter regjional dhe nuk është më kamping komunal.Duke bërë hapjen e këtij kampingu kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili ka thënë se falë familjeve të dëshmorëve të cilët dhanë më të dashurit e tyre, ne tani e gëzojmë lirinë dhe organizojmë kampe verore. “U jemi mirënjohës çdo herë, dhe ju përkulemi dëshmorëve të rënë për liri”, ka thënë Xhemaili duke shtuar se ndihet edhe më mirë, pasi që ky kamp tani më është zgjeruar në një kamp të zonës në të cilën dikur kanë luftuar trimat. “Vend ky, ku kanë ndodhur beteja të mëdha në luftën për liri, vend ku është treguar trimëria e heroizmi. Vendi i cili do të jetë frymëzim jo vetëm për fëmijët por për të gjithë ne në Kosovë”, ka thënë Xhemaili, duke u premtuar se kampi do të jetë tradicional dhe gjithmonë do ta kenë mbështetjen e komunës, pasi që synohet që ky kamp, për këto kategori të jetë për të gjithë Kosovën.
Nexhmedin Arifi, kryetar i komunës së Vitisë, ka thënë se janë të vetëdijshëm se gjithçka që bëhet për fëmijët e dëshmorëve, fëmijët e të cilëve dhanë çdo gjë për Kosovën dhe na mundësin ne, që të zhvillojmë aktivitetet tona, nuk është asnjëherë e mjaftueshme. “Jemi të angazhuar maksimalisht dhe çdo iniciativë ngado që të rrjedhë, ne do ta përkrahim. Përkundër vështirësive të mëdha bugjetore që kemi, kur janë në pyetje familjet e dëshmorëve dhe fëmijët e tyre, jemi në gjendje të bëjmë gjithçka”, ka thënë Arifi.
Xhafer Murtezai, nga Ministria e Sportit, ka thënë se, tani po e kryejnë një obligim të vogël pasi që kemi shumë obligime për fëmijët e dëshmorëve dhe për të ardhmen e tyre. Murtezai, porositi që ky kamp të zgjerohet, të jetë multietnik, ndërkomunal e edhe në nivel të Kosovës e më gjerë.
Për kontributin e dhënë për katër vite rradhazi, në organizimin e kampingut, kryetari Xhemaili i ndau mirënjohje KFOR-it, grek.
Në grupin e parë në këtë kamping marrin pjesë fëmijët e dëshmorëve nga Komuna e Ferizajt dhe Shtërpca, në grupin e dytë fëmijët e dëshmorëve nga Gjilani dhe Vitia, në grupin e tretë do të marrin pjesë fëmijët e dëshmorëve nga Komuna e Shtimes dhe Lipjanit, në grupin e katërt janë fëmijët të cilët kanë sukses shembullor dhe janë në varfëri të skajshme ndërsa grupi i pestë është për personat me aftësi të kufizuar nga të gjitha kategoritë. Çdo grup në kamping do të qëndroj nga 10 ditë më përjashtim të grupit të fundit dhe atij të parafundit që do të qëndrojnë nga 7 ditë.
Bashkim Haxhimusa, përgjegjës për sport, ka thënë se përgatitjet i kanë bërë të gjitha dhe se stafi është mjaft i përgatitur .
Vendi i cili do të jetë frymëzim jo vetëm për fëmijët por për të gjithë ne në Kosovë”, ka thënë Xhemaili, duke u premtuar se kampi do të jetë tradicional dhe gjithmonë do ta kenë mbështetjen e komunës, pasi që synohet që ky kamp, për këto kategori të jetë për të gjithë Kosovën.