Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 18-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Sektori i Rinisë, në bashkëpunim me Shoqatën Bjeshkatare Alpiniste “Lybeteni”, organizoi një ecje malore në Jezerc.
Përkundër kushteve jo të favorshme atmosferike, aktiviteti mblodhi të rinj dhe dashamirë të natyrës, të cilët përmes një ecjeje simbolike nëpër shtigjet e marshimit të UÇK-së, përkujtuan këtë datë të rëndësishme historike. Krahas dimensionit përkujtimor, ecja kishte për qëllim promovimin e jetës së shëndetshme, sportit dhe dashurisë për natyrën.
Aktiviteti u zhvillua në frymë bashkëpunimi dhe entuziazmi, duke dëshmuar edhe një herë rolin aktiv të të rinjve në pasurimin e jetës shoqërore dhe sportive të komunës.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport falënderon Shoqatën Bjeshkatare Alpiniste “Lybeteni”, QKMF-Ferizaj, Bashkim Haxhimusën për mbështetjen në transport, si dhe të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe kontributin në realizimin me sukses të këtij aktiviteti.