Shemë Topalli ka qenë njëri prej kryefamiljarëve që ka përgëzuar pushtetarët për këtë vepër bamirësie, e cila do të jetë vatër e ngrohtë për 3-anëtarët e kësaj familje.
"Jemi gëzuar pa masë për këtë shtëpi. Unë kurrë nuk do të mund ta ndërtoja, sepse kushtet i kam shumë të rënda. Kemi jetuar shumë keq, në kushte shumë të rënda" ka thënë Shema. Edhe bashkëfshatari i tij, Hasim Topalli është përfituesi tjetër i këtij projekti. Ai ka thënë se ndihet i gëzuar që për festën e Fitër Bajramit me 6-anëtarët e familjes së tij, do të jetë më rehat.
"Falënderoj gjithë ata që na kanë ndihmuar, Komunën e Ferizajt. Shtëpia është punuar mirë dhe ne jemi shumë të gëzuar. Është një shtëpi që vetëm kemi mundur ta ëndërrojmë" ka thënë Topalli.
Nga ana tjetër, drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i Ferizajt, Vesel Zhinipotoku ka thënë se këto dy shtëpi janë ndërtuar me fonde të drejtorisë për mbështetje të skamnorëve, kryesisht të atyre që kanë probleme me strehën.
"Komuna e Ferizajt këtë vit ka ndarë një fond për ndërtimin e katër shtëpive. Dy prej tyre janë ngrehur në Zllatar, ndërsa përzgjedhja është bërë nga një komision përkatës. Vlera e secilës shtëpi ngërthen një kosto prej 12 mijë eurosh. Edhe në të ardhmen, do të bëjmë përpjekje të bëjmë zgjidhje për gjithë ato familje që përballen me këto probleme, problemin e banimit" ka thënë drejtori Zhinipotoku.
Ndryshe, pushteti lokal i Ferizajt në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, gjatë ditës kanë mbështetur nevojtarë të shumtë në gjëra ushqimore, duke ua bërë atyre sofrat e begata në festën më domethënëse islame, Fitër Bajramin.
Dy familje nga fshati Zllatar i Ferizajt janë bërë me strehë, falë një fondi të Mirëqenies Sociale që e ndanë Komuna e Ferizajt për familjet pa kulm mbi kokë. Kryefamiljarët kanë ndarë gëzimin në prag të festës së Fitër Bajramit me zyrtarë komunalë, Kryetarin Agim Aliu dhe bashkëpunëtorët e tij, duke i falënderuar këta të fundit për këtë vepër shumë domethënëse për ta.