Fshati Dubravë e Ferizajt, së shpejti pritet të bëhet me fushë sportive, falë investimit të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, me rastin e fillimit të punimeve për këtë projekt është shprehur se pushteti i Ferizajt me ndarjen e parcelës për këtë palestër tregon përkushtimin ndaj komunitetit ashkali.
“Me këtë ne po tregojmë se edhe komunitetet janë pjesë aktive e të gjitha komuniteteve që veprojnë në Komunën e Ferizajt. Shpresojë që tani e tutje edhe ky komunitet do të ketë hapësirë të mjaftueshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre”, ka thënë Svarqa.
Edhe zëvendësministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Gani Elshani, projektin për rregullimin e fushës sportive e ka parë mjaft të rëndësishëm për komunitetin ashkali.
Përfaqësues të komunitetit ashkali dhe banorët të tjerë e mirëpritën këtë projekt.
Për rregullimin e fushës sportive në fshatin Dubravë do të investohen mbi 50 mijë euro nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.
Këtë të enjte filluan punimet në realizmin e projektit për rregullimin e fushës sportive në fshatin Dubravë, fshat ky i banuar me komunitetin ashkali.