Drejtori i këtij dikasteri komunal, Fatmir Azizi ka pohuar se në gjithë sektorët janë shënuar rezultate inkurajuese, duke bërë kështu që shërbimet publike për qytetarë të jenë në nivel të dëshirueshëm. Me një buxhet prej 995 mijë eurosh të ndarë për këtë vit, Azizi ka thënë se vetëm 345 mijë euro janë paraparë për investime kapitale, mjete këto të destinuara për projekte në gjithë sektorët që mbulon drejtoria si dhe 25 mijë euro për ndihma emergjente.
Duke u ndalë në vëllimin e punëve të bëra, gjatë kësaj periudhe, drejtori Azizi ka vënë theksin në numrin e kërkesave të qytetarëve, për të cilat ka thënë se kanë qenë 643 syresh, shumica prej të cilave kanë përfunduar ose ndodhen në proces të zgjidhjes.
Sektori i Emergjencave, sipas drejtorit Azizi është marrë me një gamë të gjerë veprimtarish, pavarësisht sfidave për mungesë të personelit.
"Janë shqyrtuar kërkesat e qytetarëve për fatkeqësi natyrore dhe fatkeqësi të tjera, është bërë kontrollimi i gjendjes së mirëmbajtjes së pastërtisë nëpër të gjitha rrugët e qytetit, janë shqyrtuar kërkesat e qytetarëve për nevoja të ndryshme në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, është bërë shpërndarja e lajmërimeve me shkrim nëpër objektet afariste për mirëmbajtjen e higjienës dhe pastërtisë para lokaleve të tyre, janë vendosur aparaturat me ultrazë për largimin e shpendëve të ndryshëm nga drunjtë dekorativ në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’ janë pranuar 28 zjarrfikës për sezonin veror", ka theksuar Azizi, për të shtuar se tek Shërbimet Publike veçohet zhbërja disa deponive ilegale të mbeturinave dhe hapja e një pusi në Varrezat e Dëshmorëve, si dy projekte shumë domethënëse. Një pjesë të shpalosjes së punëve të bëra gjatë 6 mujorit të parë, ka zënë edhe sektori i Ndriçimit Publik dhe ai Komunikacionit. Drejtori Azizi ka njoftuar se nga 29 korriku, hapësira e Parkut të Lirisë të ketë sistem ndriçimi, ndërsa është bërë instalimi edhe në disa rrugë të qytetit dhe në një numër fshatrash. Nga sektori i Komunikacionit është thënë se është bërë shenjimi vertikal dhe horizontal në ato vende ku ka qenë e nevojshme, ndërsa janë kryer edhe punë tjera që lidhen me transportin e udhëtarëve.
Ndër sfidat, i pari i kësaj drejtorie, ka përmendur numrin e paktë të inspektorëve, mungesa e të cilëve, siçështë shprehur, reflektohet në përmirësimin e shërbimeve për qytetarë. Azizi nuk e ka përjashtuar mundësinë e angazhimit në të ardhmen të dy inspektorëve, për mbikëqyrje të nivelit të pastërtisë së rrugëve dhe menaxhimit të mbeturinave.
Ndryshe, në këtë shpalosje është thënë se gjatë kësaj periudhe Brigada e Zjarrfikësve ka evidentuar 137 intervenime. Zyrtarët kanë thënë se kjo drejtori është marrë edhe me intervenime tjera, si hapje të kanalizimeve në 25 raste, shpërndarjen e 748 njoftimeve me shkrim nëpër lokalet afariste për mirëmbajtjen e pastërtisë para lokaleve dhe tjera.
Edhe zyrtarë nga kjo drejtori kanë përmendur borgjin e trashëguar nga ish-pushtetarët. Sipas drejtorit Azizi, në total borgji i trashëguar ka qenë 368 mijë euro, ndërsa gjatë kësaj periudhe ky borgj ndaj operatorëve është shlyer ne vlerën prej 284 mijë euro.
Zyrtarë nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjenca kanë thënë të enjten në një konferencë shtypi se 6-mujorin e parë të këtij viti e kanë përmbyllur suksesshëm, duke realizuar një për një objektivat e paraparë.