Konferenca është mbajtur me tre kryetarët e komunave të regjionit: Agim Aliu kryetar i komunës së Ferizajt, Besim Ilazi, kryetar i komunës së Kaçanikut dhe Rufki Suma kryetar i komunës së Hanit të Elezit. Në këtë konferencë, e cila kishte për qëllim që këto komuna të thellojnë bashkëpunimin në mes vete, u diskutua për të arriturat që i kanë bërë këto komuna, si dhe për probleme të ndryshme që janë ende evidente nëpër këto komuna. Poashtu u diskutua edhe për të hartuar projekte të përbashkëta komunale, që sjellin dobi për qytetarët e të gjitha këtyre komunave. Ndër projektet e përbashkëta që mund të bëjnë këto komuna u veçua impianti për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Hanit të Elezit. Kryetari i kësaj komune, Rufki Suma ka thënë se komuna do të mund të ofrojë hapësirën. Poashtu në konferencë u diskutua edhe për ndërtimin e një deponie mbeturinash, ku do të grumbullohen mbeturinat nga të gjitha komunat e këtij regjioni. Diskutime kishte për probleme të ndryshme, mirëpo një vëmendje e madhe iu kushtua dëmtimit të pyjeve, i cili u është bërë pyjeve të rajonit të Ferizajt. Në fushën e zhvillimit ekonomik, kryetari i komunës së Ferizajt z. Aliu theksoi që komuna e Ferizajt e ka bërë një hap shumë të rëndësishëm për lehtësimin e biznesit, ku ka hequr taksën e veprimtarisë së biznesit. Aliu në këtë konferencë u ka rekomanduar edhe kryetarëve të komunave tjera të ndjekin shembullin e komunës së Ferizajt për lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve. Lidhur me atë se çka ofron tjetër komuna në këtë segment, kryetari Aliu ka thënë komuna parasheh ndërtimin e një "autostrade për bizneset prej Prelezit deri në Fshatin e Vjetër" si dhe realizimin e projektit me karakter regjional, ndërtimin e një spitali. Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi ka kërkuar nga të gjitha komunat të kenë bashkëpunim në zhvillimin e aspektit rural, duke e vënë theksin në zhvillimin e turizmit, ndërsa kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Suma ka theksuar se përmes zhvillimit të turizmit hapet një rrugë shumë e mirë për zhvillimin ekonomik. Gjatë kësaj konference u vlerësua lart bashkëpunim që kanë mes veti këto komuna, të cilat së bashku mund të adresojnë kërkesat për projektet e përbashkëta tek institucionet e vendit dhe donatorët.
INPO (Iniciativa për Progres) ka tubuar në një konferencë regjionale, kryetarët e komunave në të cilën janë diskutuar sfidat dhe problemet, zhvillimi ekonomik, përmbushja e kërkesave të qytetarëve, bashkëpunimi që kanë mes vete komunat, si dhe përfitimet nga marrëveshjet që i kanë nënshkruar këto komuna.